
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, thotë se kryeministri Edi Rama duhet të marrë shembull nga Presidenti serb, Vuçiç, i cili shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare për të mos thelluar më tej krizën në Serbi.
“Vuçiç u tregua më i mençur se Edi Rama dhe më i shpejtë se ai, i shpalli zgjedhjet e parakohshme për të mos e thelluar më tej krizën. Besoj që edhe Partia Socialiste do të reagojë më shpejt, sepse çdo ditë që kalon e thellon më shumë krizën, dhe njëkohësisht rrit edhe më shumë mos përkrahjen e qeverisë së kapur nga një grup kriminal ndaj shqiptarëve”, tha Kryemadhi nga selia e LSI-së.
Zonja Kryemadhi i konsideroi të blerë deputetët e rinj në Parlament.
“Ilegjitimiteti i Parlamentit për ne është bërë më se normale. Nëse deputetët që hyjnë në Parlament me subvension nga PS duke eliminuar subvensionet për bujqësinë, ku donacionet për fermerët shkojnë për këta deputetë.
Zoti e ruajt Edi Ramën dhe ata që bashkëpunojnë me Edi Ramën. Nëse këta deputetë kthejnë 400 mijë shqiptarë që kanë ikur dhe nëse këta deputetë që kanë hyrë kontrabandë në Parlament, do të rrisin pagat, kjo do të ishte mrekulli”, tha ajo.
Duke folur për protestën e nesërme, ajo deklaroi se do të jetë madhështore.
“Protesta e nesërme është vazhdimësi e protestave të shqiptarëve dhe protestat që do të vijnë çdo ditë e më shumë. Ka ardhur koha që politikanët ta kenë frikë popullin dhe jo popullin nga politikanët”, shtoi.
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!