5 leje shfrytëzimi të burimeve ujore që kanë qenë në Shkodër në bazenin Drin-Bunë janë bllokuar përpar afatit. Asnjë prej atyre që ka marrë këto leje në vitin 2013 nuk ka të drejtë të bëjë asnjë lëvizje në bazenin ujor të Shkodrës. Sekretariati teknik i këshillit kombëtar të ujit bashkë me prefektin Çesk Millja zbritën në terren duke i bërë të ditur shfrytëzuesve se duhet të ndalin punën.
Gerta Lubonja, drejtuese e Sekretariatit teknik të këshillit kombëtar të ujit tha se tashmë do të zbatohet ligji me përpikmëri përsa i përket bazenit ujor Drin-Bunë.
Vendimi për bllokimin e 5 lejeve të shfrytëzimit të burimeve ujore është ndërmarrë për shkak të degradimit dhe dëmtimit që është bërë në bazenin Drin-Bunë qoftë nga këto ndërhyrje por edhe erozioni. Ky është hapi i parë dhe mendohet që të nisë një punë serioze për rehabilitimin e këtij bazeni që ndikon edhe tek përmbytjet.