Denimi perjete ne Greqi, Izet Haxhia: Ky eshte nje puc shteteror kunder meje, e verteta eshte…

Izet Haxhia, ish-truproja i Sali Berishës gjatë kohës kur ai ishte President i Republikës, rrëfen detaje, gjatë një lidhje telefonike për Report Tv, lidhur me dënimin e tij me burgim të përjetshëm në Greqi. Haxhia thotë se është dënuar për vrasjen e shqiptarit me emrin Riza Kurbneshi me origjinë nga Burreli, i cili sipas Haxhisë ka qenë arrestuar në Tiranë për vrasjen e vëllait të tij në vitin 1994.

Edhe pse pranon hasmërinë me Kurbneshin, Haxhia thotë se nuk është ai autor i vrasjes së tij, pasi në vitin 1998, siç pretendon drejtësia greke, ai ka qenë në Tropojë nën hetim për ngjarjet e 14 shtatorit të atij viti, kur u tentua marrja e pushtetit me dhunë, pas vrasjes së Azem Hajdarit.


Izet Haxhia thotë gjithçka është orkestruar nga shteti shqiptar, duke fajësuar edhe indirekt ish-kryeministrin Sali Berisha dhe bashkëpunëtorë të tij për tentativë nxitje hakmarrje.

Z.Haxhia, thoni  se keni zbuluar një dënim në Greqi për vrasje në vitin 1998? Jeni vënë ndonjëherë në dijeni për këtë dënim?
Në vitin 2004 vëllai im duke kaluar në Greqi është mbajtur dy javë në burg dhe është pyetur nga policia lidhur me mua. Në vitin 1997 gjatë vizitës së kryeministrit grek në Tiranë, kam pasur një incident, kam hequr flamujt grek në rrugë. Pas këtij incidenti gazetat kanë shkruar për mua. Ndërkohë, pak ditë më parë pyeta një mikun tim në Greqi nëse jam në kërkim në Greqi, ai më njoftoi se në vitin 2001 jam dënuar me burgim të përjetshëm për një vrasje në vitin 1998. Kohë kur kam qenë në Tropojë, pra në vitin 1998, pas 14 shtatorit dhe nuk kam lëvizur jashtë vendit.

Kush mund të jetë përgjegjës për këtë situatë?
Personi që është vrarë është një shtetas nga Shqipëria. Një person i cili në qershor të ‘94 ka vrarë vëllain tim. Ky person ka pasur lidhje me Gazideden e SHIK, pastaj me anën e SHIK është larguar. Pra, pasi është kapur nga policia e Kamzës, është larguar në drejtim të Greqisë.

Si quhet ky person?
Riza Kurbneshi nga Burreli. Dita që ka ndodhur vrasja e vëllait tim ka ardhur i biri i Berishës dhe më ka thënë disa variante. Kjo është tentativë për të më futur muaj në një rrugë hakmarrje ndaj personave që nuk kanë lidhje me këtë ngjarje. Ky person që është urdhëruar për të vrarë vëllain tim, mund të jetë vrarë nga ata që e urdhëruan. Fshehja e këtij dënimi është bërë nga shteti shqiptar. Shteti ka qenë në dijeni të kësaj ngjarje, sepse të dhënat e mia janë kërkuar përmes ambasadës shqiptare në Greqi. Dhe dënimi është kryer në mungesë, pa asnjë lloj prove. Kjo është e papranueshme.