“Demokracia të kthehet në një mikrofon të hapur”, i ndërpre fjala në takimin e Berishës në Shkodër, reagon e reja shkodrane

Nga Stella KARAFILI

Në një shoqëri demokratike takimet me qytetarë e përfaqësues të politikës duhet të jenë të hapura dhe të lira per çdo individ që ndjen ekzigjencën e një ballafaqimi për ti dhënë përgjigje disa pikëpyetjeve, pavarësisht preferencave se cili lider është më i zoti apo më i devotshmi.


Takimi në Shkodër me Z.Berisha ishte një kerkesë legjitime llogarie për shumë vite qeverisje ku politikanëve i është lënë në dorë fati i të gjithë shqiptarëve me koston e lartë duke e çuar popullin në varfëri, emigracion, kriminalizim dhe keqpërdorim deri në neglizhence të krimeve të komunizmit dhe shtresës të të prekurve.

Pyetja në lidhje me antikomunizmin ishte një pyetje e drejtëpërdrejtë e cila i rrjedh natyrshëm kujtdo që ka pak ndjeshmëri ndaj të kaluarës dhe të tashmes shqiptare e që preokupohet për të ardhmen e këtij kombi.

Politika ofron mundësi ballafaqimi dhe popullit nuk mund ti jepet përherë një përgjigje justifikuese e problemit por një “mea culpa” dhe një premtim për zgjidhje kur pas shumë viteve është evidente që “kupa nuk mbart më”.

Shkodra për të njëmijtën herë dha deshmi spontane sesa të rënda e të thella janë akoma plagët e krimeve të komunizmit ku deshmitë e pakënaqësitë dolën natyrshëm njera pas tjetres.

Familjet e viktimave të komunizmit kërkojnë respekt dhe interes real, rezoluta në parlament, jo bodyguardë kokëfortë që nuk respektojnë as kerkesën e liderit dhe bëjnë figura të pahijshme të modeleve arkaike.

Me shpresen që demokracia shqiptare të kthehet në një mikrofon të hapur ku njerëzit bashkohen dhe reflektojnë për të mirën e komunitetit pa përçarje dhe individualizma. /Publikuar në Facebook/