
Sa më shumë afrohet afati i zgjedhjeve, aq më tepër shtohet intensiteti i propagandës politike. Edhe pse bëhet fjalë për zgjedhje administrative, përsëri interesi është i lartë, sidomos për individët që kanë ambicie për të kandiduar. E në këtë linjë, edhe “tonet” e propagandës vazhdojnë të jenë “kreshendo”.
Si gjithmonë e për çdo gjë, ka dy palë që “loja” të ketë sens e të zhvillohet. Rigorozisht, janë përballë prej rreth 35 vitesh, madje pa u zoritur për të verifikuar çfarë ka bërë apo s’ka bërë pala rivale politike. E në fakt, nuk është aspak e vështirë që e gjitha të përmblidhet në një shprehje shumë të njohur, për të cilën thjeshtë duhet të kujtohemi: E njëjta gotë, e cila shihet herë si gjysmëbosh, herë si gjysmëplot.
Të lundrosh në rrjetet sociale, të cilat jo vetëm kanë eklipsuar të gjitha mediat tradicionale dhe jo vetëm por edhe po kthehen në propogandueset më manipuluese të mundshme, vëren se e bardha shpesh bëhet e zezë dhe e zeza bëhet e bardhë, me parimin “ta hajë kush ta hajë”, meqë jemi në rrjete sociale që vështirë se verifikohen.
Stili parësor vazhdon të mbetet ai i përhershmi, audiencave që synohet të manipulohen përmes “informimit”, ti servirësh atë që kanë dëshirë të shohin, të dëgjojnë apo të lexojnë. Aftësia e manipulimit është pikërisht tek aftësia që të njëjtën gotë, ta tregosh ashtu si të intereson tek audienca që synon: Bosh apo plot përgjysmë! Sepse në asnjë rast, gota nuk mund të paraqitet totalisht bosh apo plot sepse je krejtësisht i pabesueshëm.
Ajo që mungon, është fillimisht informacioni i besueshëm, i cili nuk vjen nga asnjë drejtim por edhe analiza e fakteve apo shifrave, që edhe kur dikush zoritet ta bëjë, e bën sërish sipas kriterit të gotës. Ata që konsiderohen të pavarur, qoftë në analiza profesionale apo edhe krahasime faktesh, akoma nuk ndjehen ose…nuk duan!
Ndërsa fushata ka nisur tashmë, këshilla e vetme është të merrni çdo gjë me rezerva, nga cilido drejtim të vijë. Sepse çdokush po përpiqet t’ju manipulojë përmes gjoja informimit sepse në finale, përmes këtij procesi, arrijnë tek vota juaj. Ajo votë që ju lejojnë të hidhni në kuti sipas bindjes tuaj! /ShkodraWeb/




