Mosdekretimi nga presidenti i propozimit të kryeministrit për ministrin e Brendshëm, na bën t’i kthehemi për të analizuar një dukuri të pazakontë që ka ndodhur te ne vitet e fundit. Në Shqipëri, është krijuar një praktikë e rrezikshme (nuk i rasti i parë me z.Lleshaj), duke goditur dekretet e presidentit fillimisht në gjykatat e faktit, e sot në gjykatat administrative. Kjo me arsyetimin se dekretet janë interpretuar si “marrëdhënie” pune. Gjykatat tona i kanë dhënë të drejtë të interpretojnë kushtetutën dhe godasin dekretet e presidentit, të cilat i shohin si akte administrative. Me të njëjtën logjike, mund të përfundojnë në gjykata administrative dekretet për ministra, për ambasadorë, etj. Dekreti është akt juridik i shprehjes së vullnetit politik të kryetarit të shtetit, i cili sjell pasoja mbi situatën juridike të subjekteve që iu drejtohet.
Dekretet e presidentit, si dhe ligjet, mund të goditen vetëm në Gjykatën Kushtetuese. Vetëm kjo gjykatë mund të interpretojë dispozitat e kushtetutës e të vendosë për këto raste. Asnjë gjykatë tjetër nuk mund të rrëzojë dekretet e presidentit. Po ashtu, dekretet e presidentit rrëzohen edhe nga Kuvendi. Siç shihet, janë vendosur në nivel të barabartë Kuvendi, gjykatat administrarive dhe Gjykata Kushtetuese.
Në rastin konkret të z.Sandër Lleshaj (pa hyrë në themelin e çështjen së tij në ka apo jo të drejtë), presidenti është shprehur me dekret për nxjerrjen në lirim të tij dhe nuk mund të përsërisë të njëjtin dekret (të rrëzuar nga Gjykata Administrative e Apelit!). Presidentin e detyron të nxjerrë një dekret të ri vetëm Gjykata Kushtetuese, në përputhje me vendimin që kjo e fundit merr. /Nga Kastriot DERVISHI/