DEKLARATA/ Dekani i Fakultetit të Drejtësisë në Shkodër konfirmon incidentin me policin e FNSH-së…

DEKLARATË PËR SHTYP

Me qellim informimin dhe sqarimin e opinionit publik.

Ju informojmë për ngjarjet tashmë publike të ndodhura në ambjentet e fakultetit të Drejtësisë Shkodër, si më poshtë.

• Me datë 12.02.2019 në ambjentet e tualeteve të Fakultetit të Drejtësisë është sinjalizuar nga studentet e fakultetit prania e një personi me sjellje të çuditshme. Ai është vetëdeklaruar se është polic duke treguar dokumentin e policisë edhe armën që posedonte me vete. Personi në fjalë është bllokuar nga studentët bashkë me rojen private duke e shoqëruar drejt daljes nga godina.

Gjithashtu studentët kanë njoftuar dekanin dhe në këtë moment është kontaktuar salla operative e policisë së shtetit saktësisht në oren 14:16 minuta, pak minuta pas së cilës ka mbërritur patrulla e policisë e cila ka bërë edhe shoqërimin e personit në fjalë duke konfirmuar se është koleg i tyre.

Nisur nga ky evidentim i personit si dhe ngjarjet e ditëve të fundit është kontaktuar dhe informuar ne oren 15:15 nga Dekani i fakultetit edhe Ministri i Brendshëm i cili është përgjigjur menjëherë duke shprehur disponibilitetin e tij për të ndjekur ngjarjen në fjalë duke e adresuar tek autoritetet më të larta të policisë së shtetit (Drejtori i Pergjithshem i Policisë Kriminale, Drejtori i përgjithshem i SHKB-së dhe Drejtori i Qarkut).

Gjatë gjithë ditës së djeshme organet e policisë dhe një OPGJ i prokurorisë kanë vazhduar veprimet proceduriale deri në mesnatë në ambjentet e fakultetit.

• Me datë 11.02.2019 dekani i fakultetit është informuar nëpërmjet dy ankesave rreth orës 15:00 për një incident të ndodhur në tualetin e femrave ku një person i gjinisë mashkullore ka ngacmuar seksualisht disa femra.

• Është dërguar nga dekani e-mail informues për ngjarjen në fjalë me dt. 11.02.2019 Rektorit dhe Administratorit të USH-së dhe është njoftuar SHRSF që vepron në USH për zbardhjen e kamerave të sigurisë, evidentimin e personit në fjalë dhe denoncimin e tij në polici si dhe marrjen e masave për rritjen e sigurisë në USH, por mungesa totale e veprimit nga ana e tyre e papergjegjshmeria rezultoi ne perseritjen e ngjarjes me dt 12.02.2019.

Ofrojmë bashkëpunimin tonë me të gjitha organet ligjzbatuese duke filluar nga Policia, Prokuroria dhe Gjykata që rasti në fjalë të zbardhet sa më shpejt, pasi nuk është cenuar vetem dinjiteti, integriteti fizik dhe moral i disa personave, por integriteti moral dhe fizik i të gjithë studentëve dhe stafit të Fakultetit të Drejtësisë. /Deklaratë për mediat e Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë Roland DODANI/