Ndërsa KQZ vazhdon zëvendësimin e vendeve vakante në Parlament, deri më tani, 94 kandidatë nga lista e Partisë Demokratike i kanë thënë “Jo” kërkesës së KQZ-së për të marrë mandatin.
Kandidatët janë në vijim të listës së kandidatëve të Partisë Demokratike të regjistruar në KQZ në zgjedhjeve e përgjithshme parlamentare të vitit 2017. Numri i atyre që i kanë thënë “jo” mandatit dukshëm është më i lartë se numri i atyre që e kanë pranuar atë.
Këta të fundit, kanë rënë më shumë në sy për vendimin e tyre, pasi duke pranuar mandatin, kanë kundërshtuar vendimin e marrë nga partia e tyre. Ata që kanë pranuar mandatin janë të gjithë të përjashtuar nga partia. Të njëjtin fat e ka pasur edhe deputeti Myslim Murrizi, deputeti i parë “rebel” që nuk pranoi të hiqte dorë nga mandatet.
Kandidatët më të fundit që i thanë “jo” mandatit, janë nga lista e Tiranës, përkatësisht Hysen Kadiu, Dashnor Visha dhe Erald Shulla si dhe Erdion Maçolli nga Qarku i Korçës. Aktualisht, Kuvendi i Shqipërisë ka rreth 108 deputetë nga 140 gjithsej në një situatë normale.