“Da Silva ndërroi mendje, goditëm me Heriçin”, Brdariç: Kjo do të jetë Vllaznia, mos prisni të bëjmë më ndryshime

Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, mendon se fantazisti brazilian, Viktor da Silva, ka ndryshuar mendje dhe do të vazhdojë të qëndrojë në Shkodër. Në intervistën e dhënë dje pas miqësores kundër Burrelit, gjermani i pankinës foli për disa nga temat më “të nxehta” në skuadrën shkodrane, teksa u ngacmua edhe për çështjen “Da Silva”. Sipas Brdariçit, afrimi i mesfushorit boshnjak, Elvedin Heriç, është një goditje e mirë në merkato, por elozhe trajneri ka bërë edhe për sulmuesin Ante Aralica, i cili dje luajti minutat e para si kuqeblu.

Tomas, për çfarë ju shërbeu kjo miqësore?


Për mua ishte e rëndësishme që të luajmë thjesht, të përdorim mundësitë që kemi në avantazhin tonë. Në të dyja pjesët kam parë shumë gjëra të mira, por në këtë situatë që jemi, i kemi këmbët të rënduara. Në mëngjes kishim një stërvitje me ngarkesa të larta fizike dhe tani këmbët janë pak të lodhura. Por, mendoj se në përgjithësi ishte një paraqitje e mirë e skuadrës. Jemi të lumtur, sepse është fundi i javës dhe çdokush është i lodhur. Mendoj se bëmë një punë të mirë.

U aktivizuan disa lojtarë në provë, por edhe debutues si Heriç apo Aralica që kanë firmosur. Si ju dukën afrimet në këtë ndeshje të parë?

Me Heriçin kemi gjetur një lojtar të mirë në mesfushë dhe e tregoi veten për aq sa luajti. Ndërsa sulmuesi Aralica, që u aktivizua në pjesën e dytë, tregoi në disa raste se mund të jetë vendimtar.

Është kjo Vllaznia që do të shikojmë në sezonin e ri apo prisni të tjera përforcime nga merkato?

Ne kemi filluar punën, por sot (dje) nuk kishim as Da Silvën dhe as Latifin, të cilët nuk mund të stërviteshin. Kemi lojtarë që mund t’i përfshijmë në lojën e ekipit. Nuk mund të ndryshojmë ekipin plotësisht, por jam i kënaqur me çfarë kemi dhe mendoj se ky do të jetë ekipi për sezonin e ri.

A do të jetë Da Silva pjesë e Vllaznisë edhe në sezonin e ri?

Po, do të jetë. Mendoj se Viktori është një lojtar i mirë për ne dhe ka treguar në sezonin e kaluar paraqitje të mira këtu. Pse nuk duhet të qëndrojë?!

OK, por ai ka thënë se do të kërkojë me mirëkuptim largimin nga Vllaznia…

Ai ka thënë në gazetë se i ka kërkuar Alban Xhaferit që të largohet nga klubi, por mendoj se ka ndërruar mendje.

Sezoni i ri nis me Superkupën ndaj Teutës më 28 gusht. Do të zhvilloni të tjera miqësore deri në prag të ndeshjes me durrsakët?

Miqësoret? Javën tjetër do të planifikojmë dy ndeshje të tjera, por duhet t’i caktojmë datat. Megjithatë, deri në ndeshjen ndaj Teutës mendoj se do të luajmë përsëri miqësore.