Vllaznia e femrave arrin edhe fitoren e dytë në Ligën e Kampioneve të Europës. Ajo ka mundur mesditën e sotme kampionen e Maltës, Birkirkara me rezultatin 1-0, megjithatë për t’u kualifikuar ekipit shkodran i duhet të fitojë edhe ndeshjen e tretë, atë me ekipin vendas të Lituanisë. Në takimin e sotëm, ai ka nisur me gol për ekipin e Vllaznisë.
Në minutën e 16-të ka qenë amerikania Doyle ajo që e ka kaluar atë në avantazh. Një gol që u ka dhënë qetësinë vajzave kuqeblu të cilat kanë vijuar të dominojnë në lojë, madje kanë patur edhe raste të tjera shënimi por që nuk janë konkretizuar dot, ndonëse Doçi dhe futbollistet e tjera të Vllaznisë janë përpjekur mjaft.
Gjërat nuk kanë ndryshuar deri në fund dhe përfundimisht 1-0 për kampionen e Shqipërisë. Ajo udhëheq grupin 10 për momentin me pikë të plota 6, por për t’u kualifikuar për në turin e dytë të këtij kompeticioni të rëndësishëm, kjo nuk mjafton. Gjithçka do të vendoset në ndeshjen e së martës kur Vllaznia do të luajë me pretendenten kryesore, skuadrën vendase- Gintra.
Ajo konsiderohet një pengesë shumë serioze por vajzat kuqeblu duken të vendosura për të synuar kualifikimin deri në fund. 90 minutëshi së martës pritet me shumë interes dhe presidenti Matija është i bindur se ekipi që ai drejton mund t’ia dalë këtë herë. Nuk e ka bërë në dy vitet e kaluara kur arriti sërish nga dy fitore në grup dhe tashmë do të tentojë në të tretën. /ShkodraSport/