Gjykata e Tiranës ka pushuar çështjen ndaj ish-deputetit të Partisë Socialiste dhe ish-drejtorit të Burgjeve, Arben Çuko, me argumentin se nuk konstatohet fakti penal. Ne kete menyre dosja e tij nuk kalon per gjykim.
Vendimi vjen pak kohe pasi gjykata ndryshoi masën e sigurisë për ish-deputetin nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”. Kujtojme se Arben Çuko u prangos ne tetor te vitit 2018, në kuadër të operacionit “VOL-VO4”, pasi doli në përgjimet e grupit “Avdylaj”, pjesë e dosjes së famshme 339.
Ne ate kohe policia njoftoi se “Arben Çuko (Ish- Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve) u arrestua i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal”.
Në këto përgjime Çuko u zbulua se favorizoi një të dënuar për të lëvizur nga një burg në një tjetër. Gjithashtu Arben Çuko u akuzua edhe për korrupsion, pasi shoferi i tij dyshohet se kishte marrë një shumë parash për të lehtësuar kushtet e një të dënuari.
Burime nga Prokuroria thanë aso kohe se arrestimi i Çukos është kërkuar pas një hetimi disamujor, pasi dyshohet se kundrejt lejeve që jepte për të burgosurit merrte para në formë ryshfeti.
Sipas informacioneve të para, Çuko është zbuluar nga përgjimet e një grupi të përfshirë në trafik droge. Në një rast kur po përgjohej një nga anëtarët e grupit kriminal të trafikut të drogës ka dalë emri i Çukos, ku diskutohej se ai jepte leje për të burgosurit kundrejt pagesave.
Një nga rastet e dokumentuara nga ana e Prokurorisë, me incidien edhe të Ministrisë së Drejtësisë, dyshohet se Arben Çuko ka përfituar para dhe një automjet për transferimin e një të dënuari. Bëhet fjalë për të dënuarin Olsi Karagjozi, i arrestuar në janar të vitit 2013 dhe i dënuar me 14 vjet e 8 muaj burg.
Në kohën kur ky person u arrestua, Policia shprehej se ai ishte paguar për 5 vrasje, të cilat kishin dështuar. Megjithatë, ai u dënua vetëm për një ngjarje që iu provua, kur plagosi dy persona.