
Ditmir Bushati i është rikthyer sot devizës së njohur të Fatos Nano si kryeministër: Të sakrifikojmë pushtet për të bërë shtet! Në një fjalim thuajse të pazakontë në Kuvendin njëngjyrësh, Bushati ka përcjell një mesazh që qartazi ishte për shumicën të cilës i përket. “Unë sot pyes. Si ka mundësi z.Ruci që pas tre dekadash si politikan me eksperiencë, si ka mundësi z.Ulqini, si ka mundësi z.Majko, e deri te kolegia që foli për herë të parë në këtë parlament. Pse kur Grekët e Maqedonasit e gjekërkan gjuhën për të parë përpara, ne nuk paskemi mundësi me e gjet gjuhën me njëri-tjetrin. A jemi të gjithë shqiptarë, a jemi pjesë e një kombi? Pse e kemi kaq të vështirë dhe turpërojmë veten tonë lart e poshtë. Pse nuk e gjejmë dot ne gjuhën për të parë përpara?”, ka thënë sot Bushati nga foltorja e Kuvendit, ndërsa më herët indirekt perifrazoi ish- kryeministrin Fatos Nano kur tha: “Këtu ka burra e gra që kanë hyrë në këtë sallë që 1991, ka burra e gra që kanë kontribuar për këtë vend. E dinë të gjithë mirë që socialistët dolën me devizën, të sakfrikojmë sa më shumë në mënyrë që të ndërtojmë një shtet solid. Ishin socialistët dhe progresitët e këtij vendi që ndërtuan një sistem të ri nga hiri i 1997-ës.”.
Në pamje të parë, duket sikur Ditmir Bushati, sot ish- ministër i shkarkuar pa një motivim të fortë politik nga Edi Rama, ka vendosur “të dalë nga rreshti”. “Leximi” i Ditmir Bushatit mund të bëhet në disa mënyra, por nuk mund të anashkalohet fakti se lidhjet e tij me kancelaritë e rëndësishme përendimore dhe me ndikim në Shqipëri, janë akoma të freskëta. Ta konsiderosh si fillimin e një “hakmarrjeje” të Bushatit për Ramën që e përzuri nga qeveria mbase edhe pa e merituar, do të ishte shumë naive. Nga EMA, Bushati u përfshi në politikë falë vullnetit të Edi Ramës, për tu bërë deputet e më pas edhe ministër i jashtëm. Apo ndoshta me largimin nga posti i ministrit të jashtëm është zeruar ky “borxh”?! A mund të shihet Ditmir Bushati si një “benblush” i ri i 2009-ës që kërkonte “kokën” e Ramës pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare?! A ka aq të pakënaqur nga Rama brenda PS-së sa të kristalizohet një “LMN 2”, ndoshta edhe me përfshirjen e Fatmir Xhafaj e ndonjë tjetër?! A mund ti imponohen “të gjithëpushtetshmit” kryeministër duke rrezikuar vijueshmërinë e karrierës politike këta politikanë dhe të tjerë pas tyre, disa nga të cilët si Ruçi, Majko, Ulqini edhe i identifikoi Bushati?! Janë të gjitha pyetje të cilat lehtësisht e kanë një përgjigje, nëse do të përpiqesh ta lexosh Bushatin pak më ndryshe.
Sot Edi Rama nga foltorja e Kuvendit ka artikuluar zgjedhjet e parakohëshme. Dhe jo si kusht “opozita të fitojë një bashki më shumë se mazhoranca”. Për ti dhënë zemër vetes, ai i ka kujtuar “opozitës së re” që ka në parlament se “Ne mundëm Berishën me Topallin dhe Bodën, dhe s’do mundim dot Lulzim Bashën me Gaz, Gaz si e ka ai, Gaz Salianjin dhe me Ervin Dumën”. Ndoshta sot kryeministri ka nisur krijimin e një alibie, duke nisur me një testim të deputetëve të tij. Natyrisht, pasi hodhi “Finoshashkën” që i sugjeroi socialistëve të tërheqin antarët e propozuar në KZAZ që i gjithë procesi i zgjedhjeve të 30 qershorit të administrohet nga komisionerë jopolitikë, meqenëse opozita nuk ka dorëzuar emra dhe nuk e ka ndërmend ta bëjë.
Me Bushatin dhe ndonjë tjetër pas tij, Rama mund të nisë ndërtimin e një alibie për terheqje të butë. Mund të testojë edhe frymën në grupin parlamentar, nën shembullin e Fatos Nanos la qeverinë, partinë, iu drejtua bazës socialiste dhe i rimori me një proces thellësisht demokratik dhe unikal deri tani në të gjitha partitë politike në vend. Nuk duhet të kalojnë edhe shumë javë për të kuptuar fjalimin e sotëm të Ditmir Bushatit… /Shënim i ShkodraWeb/