ÇESHTJA “GERDECI” – “Ato që korkon SPAK janë shqyrtuar nga Prokuroria”, Mediu: Kerkesa për rigjykim nuk sjelll…

Një ditë pas dorëzimit të rekursit në Gjykatën e Lartë për çështjen “Gërdeci”, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka dalë në një konferencë për mediat, për të sqaruar se kërkesa për rigjykim nuk sjell asnjë dobi.

Sipas Mediut, nuk është e vërtetë që për këtë çështje s’ka pasur hetim apo nuk është gjykuar. Ai argumentoi se ka disa vendime nga drejtësia që çështja është shqyrtuar dhe ka pasur të dënuar e të pafajshëm.


Po ashtu ish-ministri u shpreh se nuk kam pasur asnjë lidhje direkte me ata që kanë zhvilluar demontimin në Gërdec

“Dua të them se janë akte juridike në kundërshtim të plotë me Kodin Penal dhe se kërkesa për rigjykim nuk sjell asnjë dobi. Këto shkelje nuk kanë për qëllim drejtësinë. Propaganda manipulative dhe keqinterpretimi i fakteve kanë krijuar perceptimin se Ministri i Mbrojtjes është përgjegjës për atë ngjarje. Nuk kam reaguar, por duket se i është krijuar terren çdo intriganti që të spekuloje.

Janë fakte të pakundërshtueshme se nuk kam pasur asnjë lidhje direkte me ata që kanë zhvilluar demontimin në Gërdec. Nuk ka asnjë presion nga ana e ministrit. Të gjitha aktet kanë qenë pjesë e konsultimit të plotë me të gjitha nivelet. Pranë ministrit nuk është prezantuar asnjë shqetësim”, tha ndër të tjera Mediu.

Sipas tij, ato që kërkon SPAK janë shqyrtuar më parë nga Prokuroria.

“Kërkesa për vazhdim gjykimi nuk mund të konsiderohet. Ajo çfarë SPAK sot kërkon dhe gjykata e apelit ka vendosur janë çështje që janë shqyrtuar nga Prokuroria e Përgjithshme në 2014 dhe nga Prokuroria e Tiranës në 2018. Në dy rastet prokuroritë përkatëse kanë refuzuar rihapjen e kësaj çështje dhe në vitin 2018 gjykata e Tiranës kanë lënë vendimin e Prokurorisë në fuqi”, tha Mediu.