
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka treguar detaje nga negociatat për marrëveshje me koalicionin qeveritar, ndërsa nënvizoi faktin se VV nuk i ka kërkuar LDK-së 7 ministri në këmbim të postit të presidentit.
“Nuk i kemi kërkuar LDK-së 7 ministri në këmbim të postit të presidentit”, është shprehur Konjufca. Ndërkohë Konjufca ka thënë se propozimi i VV-së ka qenë t’i ndajnë ministritë. “Propozimi ynë ka qenë që ministritë të ndahen nga pesë. Ne ta marrim Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe posti i kryeministrit nuk diskutohet”, pohoi ai.
Gjithashtu ai tha se LDK-ja e kushtëzoi marrëveshjen me postin e presidentit. “Marrëveshja për koalicion nuk u lidh sepse Lidhja Demokratike e Kosovës e kushtëzoi marrëveshjen me pozitën e Presidentit. Ne nuk e kemi pritur këtë gjë sepse siç e dini ju, këto zgjedhje kanë qenë zgjedhje parlamentare dhe pas konstituimit del qeveria nga Kuvendi dhe pozita e presidentit është diçka krejt tjetër”, është shprehur Konjufca, në emisionin Pressing të T7.