Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati doli mbrëmë para shqiptarëve për tu treguar disa “të vërteta” lidhur me marrëveshjen e pritshme me Greqinë. Pa e thënë publikisht dhe indirekt ministri Bushati, çdokush që ka “dy pare mend në kokë” e kupton se raporti ynë me Greqinë është deri diku…vasaliteti.
Ka shumë arsye, por po ndalem në vetëm dy prej tyre, të cilat besojë janë thelbësore për shqiptarët. E para, Greqia është vend antar i BE-së. Ne aspirojmë të hapim negociatat e antarësimit me këtë organizëm, i cili funksionon edhe mbi bazën e vetos së një shteti antar, i cili mund të bllokojë çdo vendimmarrje. E duke ditur marrëdhënies aspak të shëndetëshme ndër vite, ne jemi ata që “duhet të lëshojmë perin”.
E dyta, një pjesë e konsiderueshme e emigrantëve shqiptarë, vazhdojnë të jetojnë e të punojnë në territorin helen. Por nga ana tjetër, çdo herë e me shumë edhe ata shqiptarë që jetojnë ne Jugun e Shqipërisë, por kërkojnë të identifikohen si grekë, të paktën në origjinën e largët. Nga Shkumbini e poshtë, fatkeqësisht, duhet pranuar se fryma “helene” është mjaft e fortë. Për shkak të nevojës për të mbijetuar në emigracion, por edhe asaj për të jetuar në Shqipëri duke siguruar ndonjë pension nga shteti helen.
Ashtu si në marrëveshjen e 2009-ës, edhe në këtë marrëeveshje të pritshme 10 vite më pas, Shqipëria i dorëzoi territor Greqisë. Sepse territor janë edhe 12 milje det, sic është territor edhe ajri që thithet mbi këtë sipërfaqe ujore. Qeveria aktuale është në të njëjtën linjë me ate të 2009-ës, pavaresisht ngjyrës së ndryshme politike. Ka vetëm një ndryshim, nëse duam t’i besojmë ministri Bushati: ishte marrëveshja më e leverdisshme për vendin tonë! Më shkoqur, kemi falë territor, por më pak nga sa kishte falur qeveria e 2009-ës. Pika të tjera të marrëveshjes, natyrshëm të pabarabartë, janë edhe varrezat greke si dhe të drejtat e minoritetit grek në jug të vendit.
Nuk është e qartë se kur do të nënshkruhet marrëveshja apo të hiqet ligji i luftës që Greqia ka në fuqi me vendin tonë. Ministri Bushati përmendi afatin 6- mujor, por jo rradhë politika i ka shkelur me apo pa dëshirë afatet që po vetë ka vendosur. Përtej këtij afati, opozita aktuale besoj se do ta atakojë marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese. Edhe nëse nuk ka shumë dëshirë, do të jetë e detyruar politikisht edhe në emer te “hakmarrjes” për marrëveshjen e 2009-ës të rrëzuar pas ankimimit të opozitës së atëhershme- sot qeveria e vendit. Po ashtu, ankimimi në Kushtetuese është një detyrim për një të djathtë që dëshiron të identifikohet edhe si atdhedashëse.
Gjykata Kushtetuese do të futet sërish “në lojë” për çështjen e marrëveshjes së re të pritshme për kufirin me Greqinë. Mirëpo, këtë here nuk ka shumë hapësira për te vepruar sepse ka një precedent: rrëzimin e të njejtës marrëveshje por me një ndryshim të vogël termash, e nënshkruar në 2009-ën. Pra, nëse e rrëzoi atëherë se u falën 120 mijë milje det, a do ta miratojë sot që flitet se do të falen 12 milje det? Në logjikën e mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, Kushtetuesja duhet ta rrëzojë edhe këtë marrëveshje të pritshme.
Morali: Nësë për këtë çështje dhe të tjera të ngjashme, në emër të integrimit të vendit në BE, mazhoranca dhe opozita e rradhës nuk do të arrijnë një marrëveshje politike, lëshimi i sovranitetit dhe integritetit nuk do të na çojë kurrë në Europë. Gjithmonë nëse “Drejtesia” do t’i qëndrojë si gardian mbi kokë politikës. Të paktën për këto çështje madhore!
Zgjidhja: Ashtu siç ndodh në të gjithë botën e qytetëruar e demokratike në perëndim! Referendum! Të jenë vetë shqiptarët ata që vendosin me votën e tyre: Duan të lëshojnë sovranitet dhe integritet, edhe territorial, për të hyrë në Europë! Po ose Jo!