Brenda vitit 2018 pritet të përfundojë procesi i regjistrimit të emigrantëve sa i takon reformës zgjedhore, për t’u dhënë atyre të drejtën e votës.
Ky fakt u bë i ditur pak kohë më parë nga Ministri për Diasporën Pandeli Majko, i cili i ka dorëzuar Komisionit të Reformës Zgjedhore një dokument, që drejtohen nga bashkëkryetarët Oerd Bylykbashi dhe Bledi Çuçi, në formën e një manuali sa i takon procesit të regjistrimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Dokumenti në fjalë që tashmë është botuar në faqen e Ministrisë së Diasporës, bazohet në dy pika, që lidhen me mënyrën se si do regjistrohen dhe si do të votojnë shqiptarët që jetojnë jashtë.
Në manual jepen tri mënyra se si mund të bëhet regjistrimi i emigrantëve shqiptarë; kërkesa me postë, postë elektronike dhe paraqitja e tyre në selitë diplomatike të Shqipërisë. Votim do të bëhet në qendra të posaçme të ngritura jashtë Shqipërisë, por edhe me postë. Ky i fundit llogaritet të kushtojë deri në 25 dollarë.