Braziliani Silvio Junior larg Vllaznisë, sulmuesi flet për planet që ka për sezonin e ri…

Silvio Xhunior thyen heshtjen. Braziliani qetëson stafin teknik, por edhe tifozët e Vllaznisë. Sulmuesi ka shtyrë biletën e kthimit për në vendlindje dhe për rrjedhojë nuk do ta humbasë finalen me Bylisin.

Ai kishte vendosur që të largohej këto ditë, pra, në mesin e muajit, por pasi ka bërë disa llogari, ka ndryshuar “kurs”. Nuk ka në plan që ta lërë Shkodrën dhe Shqipërinë pa u mbyllur krejt sezoni dhe mbi të gjitha pa marrë dy pagat e fundit.

Kjo nënkupton se 25- vjeçari do që të mbyllë që të gjitha hesapet, pasi nuk ka në plan që të kthehet më pas. Largimi i tij ka shumë të ngjarë që të jetë definitiv, derisa askush nuk klubi Vllaznia nuk e ka marrë mundimin që të ulet dhe negociojë rinovimin me shënuesin më të mirë të ekipit.

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Xhunior është munduar që të shuajë disa pikëpyetje rreth të ardhmes së tij. “Për të ardhmen do të vendos më pas. Do të shikoj fillimisht ofertat që do të mbërrijnë në emrin e tim. Menaxheri im po shikon mundësitë e lëvizjes sime jashtë Shqipërisë. Me Vllazninë nuk kam asgjë konkrete”, ka thënë fillimisht Xhunior.

Referuar deklaratës së dhënë, lë që të kuptohet se “divorci” është i pashmangshëm. Ai lakmon që të luajë në ndonjë kampionat më të rëndësishëm europian, por nga ana tjetër saktëson se vetë Vllaznia nuk është se po bën diçka për ta bindur.

Ofertat – Destinacioni i tij mund të jetë Austria. Menaxheri i lojtari po bën çmos që ta çojë te St Polten, ekip i ligës së parë. Nëse ky transferim do të kishte fund të lumtur, për brazilianin do të ishte një arritje e madhe.

Rrallëherë ndodh që nga Kategoria e Parë të shkosh në ato nivele. E megjithatë, vetë Xhunior kur pyetet konkretisht për austriakët sqaron: “Është vetëm një emër, asgjë më shumë”. Duhet theksuar se 25-vjeçari ka bërë mjaft mirë këtë sezon me Vllazninë, ndërsa në 24 ndeshje ka shënuar 12 gola.

Braziliani erdhi nga Çornomorets, një nga ekipet elitare të futbollit ukrainas. Pas vuajtjes që pati në 3 sezone atje, duke mos gjetur hapësira si titullar dhe shënuar vetëm një gol, Xhunior rilindi në Shkodër. Dhe pas paraqitjes së mirë, karriera e tij mund të marrë tjetër kthesë.

Dëmtimi – Braziliani është e sigurt që nuk do të jetë në fushë kundër Erzenin. Një problem muskulor që e ka shoqëruar, ka bërë që stafi mjekësor ta lërë gjatë javës së fundit 3 ditë pushim. E megjithatë, shenjat e rikuperimit janë të mira. Nëse të hënën kreu vetëm stërvitje i diferencuar, dje iu bashkua grupit.

Vështirë se Agim Canaj do ta rrezikojë kundër Erzenit, në një ndeshje që vlen për statistikë, por për të sfiduar Besën, e sigurt që do ta marrë në konsideratë dhe gjasat janë që “bomberi” të jetë pikë referimi në sulm.

Loading...