Botuesi i ShkodraWeb.com Blerti Delija

Blerti DELIJA është botuesi i ShkodraWeb.com. Ai ka filluar profesionin e gazetarisë në vitin 1994, ndërsa vazhdonte studimet në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Fillimisht, bashkë me 3 studentë të tjerë, hapën në Radio Shkodra emisionin “Konstelacioni Studenti”, program i autorizuar në emër të Universitetit “Luigj Gurakuqi” nga rektori i asaj kohe prof. dr. Gjovalin KOLOMBI.

Ndërsa 3 kolegët e tjerë nuk vijuan rrugëtimin e tyre në media duke vijuar mësimdhënien në përfundim të universitetit, Blerti Delija vazhdoi bashkëpunimin me Radio Shkodra, e vetmja media për kohën. Në vitin 1997, me hapjen e mediave të para private në Shkodër, ai u inkuadrua në televizionin Shkodra TV1. Fillimisht nisi punë si spiker e moderator për të vijuar gazetar informacioni dhe në vijim kryeredaktor.

Nga ajo periudhë dge deri më sot, ai ka vazhduar angazhimin e tij profesional në të gjitha mediat vendore të Shkodrës por edhe me mediat kombëtare, të shkruara dhe audiovizive. Ai ka punuar në TV Rozafa si gazetar, moderator dhe kryeredaktor; në TV1 Channel (vazhdim i Shkodra TV1) si drejtor informacioni dhe drejtor televizioni; në Antena Nord Televizion si moderator dhe drejtor i tij; në Antena Televizion (vijim i Antena Nord Televizion) si drejtor informacioni, moderator dhe drejtor i televizionit ndërsa aktualisht është drejtor dhe modetaror i Star Plus TV.

Blerti Delija ideoi në vitin 1998 emisionin social- politik më jetëgjatë dhe të suksesshëm në mediat vendore të Shqipërisë, formatin “Eureka”, duke patur të ftuar në studion e tij të gjitha personalitetet politike të kohës që ky format televiziv ishte i hapur.


Paralelisht, në kohë dhe periudha të ndryshme, ai ka bashkëpunuar me TV Klan si korrespondent për Shkodrës, me TV Arbëria, me gazetat “Dita”, “Tema”, “Koha Jonë”, revistën “Orana”, gazetën “Universal” etj. Në korrik të vitit 2017, ai mori iniciativën për hapjen e ShkodraWeb.com, media online e përhapur në të gjitha rrjetet sociale dhe aktualisht, më e klikuara në Veri.

Blerti Delija ishte nismëtar në vitin 2002 për themelimin e Unionit të Gazetarëve të Veriut (sot Unioni i Gazetarëve Profesionistë të Veriut), të cilin vazhdon ta drejtojë që nga krijimi. Ai ka mbuluar në periudha të ndryshme edhe pozicionin e zëdhënësit dhe drejtorit të marketingut në KF Vllaznia si dhe këshilltar për median i kryetarit të Bashkisë Shkodër.

Mund të kontaktoni me botuesin me mail: editor@shkodraweb.com

                                                                          +355 67 300 20 70 (vetëm TEXT, Whatsapp, Viber, SMS)