Boksieri shqiptar Jurgen Ukdedaj ka arritur një tjetër fitore në ndeshjen për mbrojtjen e titullit të kampionit të botës në kategorinë WBC Youth. Boksieri lezhjan zhvilloi ndeshjen e radhës në Magdenburg të Gjermanisë, ku kishte përballë sfidantin ukrainas Dymitr Serguta.
Nuk ka qenë një ndeshje e lehtë për kampionin shqiptar, në një përballje që parashikohej me 8 raunde. Megjithatë, në raundin e 7- të Uldedaj ka triumfuar me fitore knock- out, pasi arbitri ndërpreu ndeshjen sepse ukrainasi humbi vetëdijen. Me këtë fitore Jurgen Uldedaj ngjitet në majën e boksit profesional botëror si zotërues i dy titujve “WBO Youth” dhe “WBC Youth”.
Jurgen Uldedaj edhe pse është pjesë e klubit Gjerman “SES Boxing” ai lufton për ngjyrat e flamurit tonë kombëtar në ring dhe është shqiptari i vetëm që mban dy tituj botërorë në dy federatat më të rëndësishme të boksit profesionist WBO dhe WBC.
Me promotor Ulf Steinforth dhe nën drejtimin e trainerit të tij Dirk Dzemski ai është sot në majat e ringut botëror, duke u rankuar në top 15 me të mirët në botë për peshën Cruiser, aktualisht i listuar i 11 në WBO dhe i 13 në WBC.
Eventi u organizua nga klubi i tij gjerman “SES Boxing” dhe u zhvillua në skenën lundruese të liqenit të Magdenburg në Gjermani. /ShkodraWeb/