“Blindohet” Uashingtoni, trupat e Gardës Kombëtare do të ndihmojnë në sigurinë para inaugurimit të presidentit

Masat e sigurisë janë shtuar në kryeqytetin amerikan ndërsa gjatë natës u vendosën trupa të Gardës Kombëtare. Autoritetet bënë arrestime të tjera lidhur me dhunën e disa ditëve më parë në ndërtesën e Kongresit amerikan. Zyrtarët federalë thonë se numri i të arrestuarve mund të rritet.


Mëngjesin e së dielës mijëra trupa të Gardës Kombëtare u bashkuan me organet e tjera të zbatimit të ligjit pas sulmit të dhunshëm dhe vdekjeprurës në ndërtesën e Kongresit amerikan.

Të ardhur nga disa shtete fqinje, trupat do të ndihmojnë në vendosjen e perimetrit të sigurisë para inaugurimit të presidentit.

Hetuesit federalë po punojnë për të gjetur motivet pas sulmit ndërsa kanë dalë fotografi të disa protestuesve në sallën e Senatit ku drejtonte punimet nënpresidenti Mike Pence.

Turma brohoriste “Vareni Mike Pence”.


Ndërkohë, policia e Kapitolit po bashkëpunon me agjenci të tjera të rendit për të mbrojtur ligjvënësit gjatë udhëtimit.

Senatori republikan Lindsey Graham u quajt “tradhëtar” në aerportin e Uashingtonit nga mbështetësit e Trumpit të premten, të zemëruar që ai dhe Kongresi çertifikuan fitoren e zotit Biden.

ShkodraWeb Channel

Ndërkohë, autoritetet federale vazhdojnë hetimin dhe arrestimin e të dyshuarve nga sulmi i së mërkurës.

Ky është Jacob Chansley, i parë nëpër sallat e Kapitolit, tashmë në pranga.

Ligjvënësi i sapo zgjedhur në Virginian Perëndimore, Derric Evan dha dorëheqjen. Ai akuzohet se transmetoi drejtpërdrejt në Facebook futjen e tij në Kapitol.

Adam Johnson nga Flordia, i parë në foto me zyrën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, akuzohet për grabitje të pronës shtetërore.

Drejtori i FBI-së Christopher Wray ka thënë se akuzat e ngritura deri tani “janë vetëm fillimi i përpjekjeve të vazhdueshme të FBI-së për t’i mbajtur ata përgjegjës” për trazirat e së mërkurës. /VOA/

ShkodraWeb Channel

ShkodraWeb Channel