“BILD e ka publikuar, por artikullin e ka shkruar…”, kryeministri komenton “Rama pjesë e përgjimeve të dosjes 184”

Kryeministri Edi Rama ka komentuar artikullin e “Bild”, publikuar disa ditë më parë, ku shkruhej se Rama ishte pjesë e përgjimeve të dosjes 184.

I ftuar në emisionin “Opinion”, Rama tha se Bild është një tabloid dhe se, ndonëse e kanë publikuar ata shkrimin, në fakt, sipas tij, ai është shkruar nga ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

“BILD është një tabloid. Nuk kam me Bild-in asnjë gjë, këtë e ka shkruar Ylli Manjani dhe Collaku, janë këta të ty që janë furnizuesit dhe autorët e këtij teksti. Ka bërë një publikim bazuar në këto burime, shqiptarët e dimë mirë se çfarë përfaqësojnë këto burime, gazetari i BILD ka marrë këto burime të shquara dhe unë nuk kam çfarë t’i them”, tha Rama.

Fevziu: Bild shkruan se më 11 shtator të vitit 2016, Rama i telefonoi kreut të një komisioni zgjedhor rajonal për të pyetur nëse zgjedhjet kishin shkuar ashtu siç ishte diskutuar. Përgjigja e drejtuesit të zgjedhjeve: Po, shef, gjithçka siç e kemi diskutuar. A është bërë kjo bisedë?

Rama: Nëse nga dhjetëra e mijëra biseda që unë bëj ju më kërkoni diçka që unë nuk e gjej dot. Por kurrë nuk ka ndodhur që unë të merrem me këto pisllëqe të cilat kanë marrë përsipër t’i pastrojnë ata që janë shkaku kryesor i krijimit të këtij pisllëku. Unë nuk kam asnjë problem që të përballem me çdo lloj hetimi. Nuk mundet kurrë të shkëpusësh një fjali dhe të ngresh një kauzë.

Loading...