
Besimtarët myslimanë në mbarë botën, përfshirë edhe Shqipërinë, nisin sot, më 1 mars, muajin e shenjtë të Ramazanit, periudhën më të rëndësishme të vitit për ta, të cilën e kalojnë në përkushtim, lutje dhe bamirësi.
Gjatë këtij muajit të bekuar, besimtarët myslimanë mbajnë agjërim, një nga shtyllat dhe detyrat madhore të besimit Islam. Sot koha e syfyrit për vendin tonë përkoi në orën 04:39, ndërsa iftari në orën 17:37. Dita e fundit e Ramazanit është më 29 mars, ndërsa Fitër Bajrami festohet më 30 mars.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, përcjolli dje një mesazh urimi për të gjithë besimtarët, duke e cilësuar Ramazanin si një muaj të bekuar, një mundësi për të rritur përkushtimin shpirtëror dhe për të forcuar ndjenjën e solidaritetit.
ShkodraWeb uron të gjithë besimtarët myslimanë agjërim të lehtë dhe të pranuar. Le të sjellë ky muaj në familjen e çdo shqiptari paqe, qetësi dhe harmoni. Zoti Fuqiplotë e begatoftë popullin, vendin dhe kombin tonë!