“Besimi që më keni dhënë, përgjegjësi e madhe për mua”, deputetja e sapo zgjedhur Emilia Koliqi mesazh shkodranëve

Shkruan në Facebook Emilia Koliqi, deputet e sapo zgjedhur e Partisë Demokratike për Qarkun e Shkodrës: Të dashtun miq,

E ndjej detyrim qytetar t’ju falenderoj publikisht të gjithëve për mbështetjen që më keni dhanë në këtë sipërmarrje të parë dhe krejt të re për mua. Ka kenë një eksperiencë që do ta mbaj mend gjatë, pasi më dha mundësinë që në pak ditë, të takoj e bashkëbisedoj me qindra shkodranë në qytet dhe njësitë administrative.


Faleminderit për mbështetjen e pakursyer dhe të pakushtëzuar të familjes dhe të afërmëve të mi. Pa këtë mbështetje, do ta kisha patur të vështirë këtë rrugëtim të mrekullueshëm profesional e nga sot, edhe si përfaqësuese e Shkodrës në parlament.

E di, se gjanat nuk shkuan siç dëshironim të gjithë ne bashkë. Kjo, sepse përballë kishim një makineri shtetërore që përdori çdo mjet në këtë fushatë, duke na vështirësu në maksimum përpjekjen tonë të përbashkët për të sjellë Ndryshimin që të gjithë ne e prisnim. Një skemë e paligjshme, me fenomene të njohura si shitblerja e votës, intimidimi, por edhe mekanizma të tjerë jo ligjorë, nuk ia dolën të ndalnin Fitoren tonë të përbashkët në Shkodër.

Besimi që më keni dhënë, si pjesë e skuadrës që do të përfaqësojë Shkodrën në Kuvendin e ri, është një përgjegjësi e madhe për mua, përveçse një vlerësimin për punën dhe angazhimin tim profesional e politik prej mëse 30 vitesh. Ashtu siç ju kam premtuar edhe në takimet tona, do të vë të gjitha mundësitë e mia njerëzore, profesionale, më të mirën time, që të meritoj në çdo moment pozicionin si përfaqësuese e juaja.

Kam një falenderim të veçantë për Partinë Demokratike, kryetarin Lulzim Basha, strukturat demokrate nga baza në qendër që besuan tek unë, duke më bërë pjesë të skuadrës së Shkodrës. Po ashtu, falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi, në të gjitha ndërmarrjet e institucionet ku kam punuar gjithë këto vite, të cilët kanë qenë, janë dhe do të mbeten jo vetëm miqtë më të mirë, por edhe nxitje e vazhdueshme për të përmbushur me ndershmëri, profesionalizëm e përkushtim detyrën e re.


Në fund, falenderimi im më i ngrohtë është për të gjithë shkodranët!

© ShkodraWeb.com

ShkodraWeb Channel