
Vllaznia në basketboll për meshkuj nuk ia ka dalë të fitojë ndaj Kamzës në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në fushën e kësaj të fundit dhe me shumë siguri, ajo tashmë i ka dhënë lamtumirën Superligës.
Një dramë e vërtetë për këtë skuadër e cila vetëm pak vite më parë “bënte ligjin” në basketbollin shqiptar, ndërsa tani ka prekur fundin. Ndeshja e sotme ka qenë shumë e dobët për kuqeblutë e këtë e tregon edhe rezultati përfundimtar i saj, 108-92 në favor të vendasve.
Ata e kanë kontrolluar lojën që nga fillimi e deri në fund. Perioda e parë është mbyllur 26-21 për Kamzën. U krijua shpresa se gjërat do të përmbyseshin në të dytën por ajo mbyllet 51-46. Në të tretën diferenca për vendasit rriten dhe ajo rregjistron rezultatin 74-66.
Kishte enda shpresa për ekipin shkodran por 10 minutëshi i fundit për ta është zhgënjyes në të gjithë drejtimet. Kamza fiton 108-92 dhe me shumë të ngjarë ka siguruar qëndrimin në Superligë ndërkohë që Vllaznia ndonëse ka ende edhe dy ndeshje për të luajtur, duket se do të bjerë një kategori më poshtë. /ShkodraSport/