Bashkia Shkodër mori sot pjesë në Ceremoninë e Ndarjes së Granteve, e zhvilluar në Bashkinë Mat, nga projekti EU4Municipalities – BE për Bashkitë, si një ndër 6 bashkitë fituese për akordimin e një granti.
BE për Bashkitë është projekt i ri i financuar nga Bashkimi Evropian, i cili implementohet nga konsorciumi i drejtuar nga NALAS – Dega Shqipëri. Qëllimi i tij është të mbështesë potencialin zhvillimor të bashkive dhe të përmirësojë kushtet socio-ekonomike dhe mjedisore të komuniteteve lokale në Shqipëri.
Projekti “Nxitja e përfshirjes sociale dhe zhvillimit të komunitetit” do të zbatohet nga Bashkia Shkodër me financim nga Bashkimi Evropian me një vlerë totale buxheti prej 195,920 Euro.
Objektivi kryesor i projektit është kontributi në integrimin dhe përfshirjen sociale të zonave periferike dhe vulnerabël të Bashkisë Shkodër. Ky investim shkon për përmbylljen e punimeve, vënien në funksion dhe fuqizimin te godinës së ish-shkollës “Veterinare”, e konceptuar tashmë si Qendër Multi-Funksionale me shërbime cilësore e të standardizuara me bazë komunitare.
Ky projekt është një tjetër arritje, e cila i shtohet portofolit të Bashkisë Shkodër në eksperiencën e saj dhe shërben për rritjen e kapaciteteve si institucion për absorbimin dhe mirë-menaxhimin e donacioneve, si dhe e afron atë me standardet evropiane.