Me një fond 26 milion lekë nga të ardhurat e Bashkisë së Shkodrës, ka nisur dhe po vijon rikonstruksioni i gjimnazit “Jordan Misja” në qytetin e Shkodrës. Ndërhyrja ka qenë e domosdoshme, pasi shkalla e amortizimit të ambjenteve të brendshme dhe të jashtme të ndërtesës ka qenë mjaft e lartë.
Projekti i Bashkisë Shkodër parashikon riparim apo zëvendësim të shtresave të suvasë, zëvendësim i të gjitha pllakave të dyshemeve, zëvendësimin e rrjetit të vjetër elektrik dhe vendosjen e ndriçuesve LED, instalimin e rrjetit të kaldajës dhe i sistemit të hidrantëve për mbrojtjen kundër zjarrit, rikonstruksioni i plotë i terracës përfshi hidroizolim e saj.
Me rifillimin e procesit mësimor, mësues, nxënës e prindër të gjimnazit “Jordan Misja” në qytetin e Shkodrës, do të kenë në dispozicion një ambjent krejtësisht të rikonstruktuar. Rikosntruksioni i kësaj shkolle, vjen pas rikonstruksionit të dy gjimnazeve të tjera të Shkodrës, “28 Nëntori” dher “Oso Kuka”.
POSTIMI NË FACEBOOK I VOLTANA ADEMIT
Jam shumë e lumtur që po i rikthejmë shkëlqimin gjimnazit “Jordan Misja” në qytetin e Shkodrës.
Gjimnazi “Jordan Misja” është shkolla ku unë mora mësimet e përgjithshme, ku u edukova dhe u rrita, ashtu siç edhe mijëra shkodranë të tjerë.
Në këtë shkollë, brezat e mësuesve kanë edukuar të rinj, të cilët sot po japim një kontribut të lavdërueshëm në Shkodër, Shqipëri e mbarë botën.
Për Shkodrën, gjimnazi “Jordan Misja”, është një institucion i rëndësishëm për formimin e edukimin e brezave, ashtu siç edhe “28 Nëntori”, “Oso Kuka” dhe shkollat e tjera.
Këtë shtator, përfundon faza e parë e rikonstruksionit. Klasat, ambjentet e shërbimit, sistemi elektrik, ngrohja qendrore, ndriçimi dhe pastërtia, do të ofrojnë mikpritjen për nxënës e mësues, por edhe prindërit.