Kryetari i grupit të PS, Taulant Balla ka akuzuar kryetarin e PD, Lulzim Basha se ka paguar një milion dollarë për lobim në SHBA, nga të cilat 825 mijë dollarë vetëm në tre muaj, nga muaji mars deri në qershor të 2017, para zgjedhjeve të 25 qershorit.
Transfertat sipas Ballës janë bërë nga PD përmes kompanive off shore, ndërsa njëra nga kompanitë premtonte se do të ndihmonte opozitën në krijimin e një lëvizje në Shqipëri.
Balla i kërkoi Bashës që të dalë dhe të shpjegojë se ku i ka gjetur këto para, ndërsa i bëri thirrje prokurorisë që të nisë menjëherë hetimet.
“Një mln dollarë qenkan paguar nga PD vetëm gjatë 2017. Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka hapur edhe dosjen e transfertave një mln dollarë të PD, një pjesë të kryera përmes një kompanie Off Shore.
Të dhënat e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë tregojnë se kontratat u lidhën në fund të marsit 2017 dhe një kompanie të regjistruar në Skoci, që kapin vlerën e 675 mijë dollarëve, ku përfshihen edhe tarifat mujore të firmës. Te pagesat duket qartë edhe emri i PD.
PD ka pasur edhe një kontratë të drejtpërdrejt e cila është raportuar se ka marrë dy pagesa nga PD me vlerë 525 mijë dollarë dhe një vlerë me 125 mijë dollarë. Kur Basha ishte në çadër gjatë vizitës në SHBA, kryetari i PD firmosi një kontratë lobimi me vlerë 25 mijë dollarë.
Sipas të dhënave të SHBA për kompaninë ‘Muzin’ është projektimi i fushatës së PD për zgjedhjet e 25 qershorit, promovimi i PD në media dhe pranë figurave në SHBA. Kompania raporton se do të ndihmonte në krijimin e një lëvizje në Shqipëri.
Dy ditë para kontratës, ‘Muzin’ firmosi edhe një kontratë me një kompani të dyshimtë për 450 mijë dollarë. Në total shpenzimet për mars-qershor 2017 kapin shifrën e 825 mijë dollarëve shumë herë më të larta se shifrat e raportuara në KQZ. Basha të dalë dhe të shpjegojë se ku i ka gjetur këto para, ndërsa prokuroria të nisë hetimet” tha ai. /shqiptarja.com/