Djali i ish-sekretarit të Enver Hoxhës, Fatos Tarifa ka rrëfyer një episod më babain e tij, 92-vjeçar, Sevo Tariva, i cili ka menduar të dorëzojë teserën e Partisë Socialiste, pas fjalimit të Edi Ramës gjatë ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit.
Në një intervistë për DITA, Fatos Tarifa ka theksuar se pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të kreut të Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri, ku Rama u kërkoi Sevos dhe veteranëve të tjerë të Luftës, “të ulin kokën”, babai i tij nuk e ka përjetuar mirë.
“Të nesërmen ndërsa hyra në dhomën e tim eti për t’i thënë mirëmëngjes e për t’i uruar një ditë të mbarë, ai më tha: “Dua të ndaj diçka me ty. Sot kam vendosur të dorëzoj teserën e Partisë Socialiste. Kjo nuk është më partia e idealeve për të cilat luftuam dhe as përfaqëson më interesat e pjesës më të madhe të brezit tim, që luftuam kundër fashizmit dhe nazizmit dhe çliruam vendin”.
Sevo-tarifaI thashë tim eti se e kuptoja shumë mirë brengën e tij. Besoj se të njëjtën brengë kanë ndarë dhe ndajnë edhe shumë veteranë të tjerë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe pjesëtarë të familjeve të tyre.
Sot ai është 92 vjeç. Ishte vetëm 14 kur iu bashkua lëvizjes klandestine dhe vetëm 16 vjeç kur, në vitin 1943, doli partizan, me një pushkë në dorë, që ishte e gjatë gati sa ai vetë. Me një qëllim dhe me një ideal të shenjtë: të luftonte për çlirimin e vendit nga pushtuesit fashistë italianë dhe ata nazistë që erdhën pas tyre, si dhe kundër atyre që bashkëpunuan me pushtuesit, në radhë të parë Ballit Kombëtar, të udhëhequr nga Mit’hat Frashëri.
Unë nuk e kam parë tim atë asnjëherë të ligështuar, të rënë moralisht, të lodhur, të pashpresë, të çorientuar, të trembur, të përgjunjur. Të ligështuar tim atë e kam parë vetëm atë ditë, kur veteranëve të Luftës, kryetari Partisë Socialiste u tha të “ulnin kokën” e ta pranonin Mit’hat Frashërin në mesin e tyre si një atdhetar të madh, pa çka se ai drejtoi një organizatë kolaboracioniste.
Në fakt, shkaku i ligështimit të tim eti nuk ishte aq sjellja e eshtrave të Mit’hat Frashërit në Shqipëri dhe nderimet që iu bënë nga një qeveri socialiste, por fjalët e z. Rama për ata që “arkëmortin” e Lumos Skëndos e shohin si një “provokim ndaj një historie që e shkruan fitimtarët”. Këtyre njerëzve, ndër të cilët bëjnë pjesë, në radhë të parë, veteranët e Luftës së madhe, pra, edhe im atë, z. Rama u kërkoi “të ulin kokën” e të mos ndihen, me argumentin se edhe regjimi që u krijua në Shqipëri pas Luftës bëri po ashtu krime. Kjo nuk është një logjikë e drejtë, as e saktë, as bindëse”.