Dikush mund të jetë tronditur sot nga publikimi i një audio- përgjimi të Agron (Geron) Xhafës, vëllai i ministrit të brendshëm të Shqipërisë Fatmir Xhafa. Në fakt, nuk shoh asnjë tronditje, aq më pak skandal. Çfarë ka për t’u trondit- habitur në këtë mesele?! A mos e kemi për herë të parë?!
Në janar 2011, Ilir Meta asokohe në bashkëqeverisje me PD-në, u shfaq me “zë dhe figurë” në një video ku flitej për “700 mije dollarë” dhe korrupsion me bllok në dorë. Përgjimi ishte bërë nga i ndjeri Dritan prifti, në kohën e përgjimit ministër i LSI-së në qeverinë Berisha. PS-ja, atëherë në opozitë e sot në pushtet, kërkoi nisjen e hetimeve menjëherë nga prokuroria. Ashtu siç sot në fakt, kërkoi edhe për audio- përgjimin e vëllait të ministrit të brendshëm Xhafa.
Precedenti i vitit 2011, mund t’i sherbejë sot PS-së për të krijuar siguri për hetimin e mundshëm të prokurorisë për vëllain e Xhafës- ministër. Me rezultat 5 – 0, Gjykata e Lartë rrëzoi filmimin e të ndjerit Prifti dhe Meta doli i pafajshëm. Filmimi u quajt manipulim i Priftit për të goditur Metën. Historia përsëritet në vitin 2015, përsëri me disa filmime të deputetit Tom Doshi por edhe prokurorisë në mjediset e saj, lidhur me “atentatin Doshi” ku si për ironi të fatit, “ideator” ishte Ilir Meta. Përsëri Ilir Meta, përsëri përmes një videoje, këtë herë i akuzuar si dërgues- porositës i atentatit ndaj Doshit. Por natyrisht, edhe këto video do të dilnin të pavlera dhe madje, Doshi, Bami dhe Frroku (i pari dhe i treti deputetë në atë kohë), u arrestuan dhe vazhdojnë akoma të jenë në gjykim.
Ndërsa këtë herë, “prova” e përgjimit mund të rrëzohet me më lehtësi. Sepse sot nuk kemi “zë dhe figurë”, por kemi vetëm zë të regjistruar. Kjo e para. E dyta dhe jo më pak e rëndësishme, në krye të organit të akuzës është një prokurore, e kontestuar nga opozita që në momentin e parë të emërimit. E treta, mazhoranca e sotme apo vetë kryeministri Rama, nuk e ka të lehtë “të lëshojë” Xhafën, sepse do të bëhej ministri i dytë i brendshsëm i akuzuar për drogë në 5 vitet e fundit. Praktikisht, vdekje morale e mazhorancës.
Kështu që, materiali i publikuar sot nga PD për vëllanë e ministrit të brëndshëm, mund të ketë vetëm efekt mediatik dhe përmes tij, efekt tek qytetarët. Sapo të paraqitet në prokurori, do të shpallet fals, i montuar, për të dëmtuar imazhin e ministrit Xhafaj. Dhe jo vetm kaq, por Bardhi- Aliabeaj- Salianji mund të paditen edhe për “fabrikim provash”.
Precedenti është shumë i rëndësishëm në jurisprudencë e veçanarisht në politikë, është shumë efikas. Mësimin që politikanët e din tanimë përmendësh, është koha të fillojnë ta mësojnë edhe shqiptarët…. /Shënim i ©ShkodraWeb/