
Ish-kryeministri Sali Berisha e ka quajtur historinë më të turpshme të sistemit të drejtësisë vendimin e Gjykatës së Apelit për të kthyer për rigjykim në Shkallë të Parë çështjen e vulës dhe logos së PD-së.
Berisha theksoi se në atë proces palë ishte vetëm kryeministri Rama, për të cilin tha se ka ndikuar në vendimin e marrë nga gjykatësit.
“Nuk jam i penduar që para shpalljes kam mbajtur atë qëndrim. Mendoj se ka qenë vendimi i duhur. Kam besuar në një mundësi fare të vogël sepse si qenie njerëzore që jam, do të kenë ndonjë nonagramë integriteti profesional dhe unë nuk kisha pse të ju bëja sulme në paradhënie. Kam një natyrë, nuk nisem kurrë nga paragjykimi i tjetrit. Kurse vendimi i tyre është historia më e turpshme e një sistemi drejtësie në të gjithë vendet e lira të botës. Natyrisht, në diktatura merret çdolloj vendimi dhe kjo këtu përbën shkelmim të parimeve më themelore të funksionimit të drejtësisë, shpalljen palë të asaj që nuk ka qenë palë dhe përfaqësuesi i së cilës konfirmoi para gjykatësve se nuk jemi palë. Pra, palë aty ishte vetëm Edi Rama. Gjykatësit lexuan një shkresë vendimi që ju dërgoi Rama me Elira Kokonën. Këtë unë e kam denoncuar para se të mblidhet gjykata”, tha Berisha për emisionin “Opinion”.
Berisha është shprehur se kanë besim në Gjykatën Ndërkombëtare teksa ka shtuar se ajo nuk mund të bëjë palë atë që nuk është palë.
“Apelimi ka 2 kuptime: Kuptimi i parë është sepse pavarësisht se këto janë institucione të kontrolluara tërësisht nga partia, këtu nuk ka një alternativë tjetër dhe ne nuk kemi një parti për një rend parashtetëror dhe kuptimi i dytë është se ne kemi besim të plotë në Gjykatën Ndërkombëtare, e cila ka një rregull që ankimimi atje të ketë kaluar shkallët e gjyqësorit, por e preferuar është kjo. Nuk mund të pranojë kurrë gjykata e Stasburgut një proces gjyqësor ku palë shpallet ajo që nuk ka qenë palë. Shqipëria ka të drejtën e plotë që t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare”, është shprehur Berisha.