Një ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi Shkodrën, është shoqëruar në Polici Mustaf Lici, anëtari i Partisë Mendimi i Djathtë Liberal në Këshillin Bashkiak të Shkodrës.
Efektivë të FNSH-së kanë rrethuar banesën e Mustaf Licit që në orën 06:00 dhe më pas e kanë shoqëruar atë në ambientet e Policisë së Shkodrës. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se ai është pyetur rreth vrasjes së Ferracakut dhe motorit që u gjet i djegur në afërsi të banesës së tij.
Por, Mustaf Lici ka mohuar se ka lidhje me vrasjen dhe as që ka dijeni për autorët e mundshëm. “Kur ka ndodhur ngjarja, kam qenë në Tiranë me deputetë të PD-së, në një mbledhje të zhvilluar atje”, është shprehur këshilltari i bashkisë. Pas shoqërimit, familjarët e tij nuk janë lejuar që të kenë asnjë lloj kontakti me të. Ata kanë kërkuar që t’i dërgojnë ujë dhe ushqime, por kjo gjë nuk është pranuar nga Policia. Mustaf Lici u la i lirë pas 8 orësh që është marrë në pyetje në Policinë e Shkodrës. /Burimi:Panorama/