ATENTATI NDAJ DOSHIT/ Pse prokuroria kërkon shoqërimin me forcë të deputetit të Shkodrës

Gjyqi për atentatin e supozuar ndaj deputetit Tom Doshi dështoi në seancën e parë të zhvilluar në Gjykatën e Tiranës. Pas thuajse tre vjetësh sorollatjeje sa në Gjykatën e Lartë dhe sa në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ditën e djeshme pritej që të çelej seanca e parë në Gjykatën e Tiranës pas zgjidhjes përfundimtare të kompetencave.

Mirëpo, mungesa e ish-deputetit Mark Frroku, që është i bashkëpandehur në këtë proces për “Kallëzim të rremë”, bëri që seanca të shtyhej. Autoritetet e kishin dërguar njoftimin për pjesëmarrjen në gjyq në Burgun e Fierit, por Mark Frroku ka disa ditë që ka fituar lirinë e parakohshme me kusht dhe gjendet në shtëpi.

Në seancë munguan edhe Durim Bami dhe deputeti Doshi, që përfaqësoheshin nga avokatët e tyre. Prokuroria kërkoi nga Gjykata shoqërim të detyrueshëm për Doshin dhe Bamin, por trupi gjykues gjykoi se kjo ishte e tepruar dhe e rrëzoi kërkesën e organit të akuzës.

Çështja në fjalë bëri bujë në vitin 2015, kur deputeti Tom Doshi tha publikisht se kishte zbuluar një atentat që do të bëhej ndaj tij. Ai madje akuzoi për përfshirje edhe ish-kreun e LSI-së, Ilir Meta.

Deputeti Doshi publikoi përmes mediave një intervistë të kryer nga ai vetë me Durim Bamin, i cili pretendonte se ishte porositur për të eliminuar fizikisht Doshin dhe ish-deputetin e PD-së, Mëhill Fufin. Intervista e realizuar në banesën e deputetit shkaktoi shumë trazira politike, por për organin e akuzës gjithçka ishte e rreme dhe tashmë, si

Durim Bami ashtu edhe Tom Doshi janë nën akuzë për kallëzim të rremë. Durim Bami u arrestua më 4.3.2015, teksa po përpiqej të shkonte në Malin e Zi. Pas arrestimit ai është marrë në pyetje prej të paktën 10 orësh nga oficerët e Policisë Gjyqësore lidhur me atentatin e supozuar ndaj Tom Doshit.

Para prokurorëve, ai ka thënë se ishte paguar për të eliminuar deputetin Tom Doshi dhe ish-deputetin e PD-së, Mëhill Fufi, por ishte penduar. Me gjithë detajet që ka dhënë Durim Bami, hetuesit nuk janë bindur për skenarin dhe e vunë nën akuzë për “kallëzim të rremë”. Durim Bami ka qenë një emër i lakuar për disa ngjarje kriminale, por që nuk janë provuar asnjëherë.

ShkodraWeb Staff

E Verteta nuk negociohet!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *