Shpërthimi me eksploziv në makinën e shefit të Financës në Policinë Kufitare të Shkodrës Admir Lishi, 40- vjeç rikthen ankthin pas shpërthimit të rreth 2 muajve e gjysëm më parë në lagjen “Rus” ku shenjestër ishte Lulzim Kulla. Tanimë në lagjen “Perash” të Shkodrës ose në anën e kundërt të qytetit, tritoli i është vendosur makinës së një efektivi policie, në një parkim poshtë shtëpisë së 40- vjeçarit. Makina tip ‘Benz’ me targa AA655MK, është dëmtuar në pjesën e prapme nga shpërthimi.
Duke gjykuar nga dëmet, duket se ka qënë një paralajmërim për shenjestrën. Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, ndërsa duket se ka edhe dy pista që po ndiqen për shpërthimin që tronditi sërish Shkodrën në orën 5 të mengjesit të ditës së sotme. Pasi është marrë ne pyetje nga kolegët, efektivi i policisë ka thënë se nuk ka patur konflikte. Përveç goditjes për shkak të detyrës, policia nuk përjashton edhe mundësinë që të jetë gabuar shenjester.