“Atdheu mbi të gjitha” është një shprehje që ne shqiptarët, e kemi të identifikuar me Mbretin Zog I, ose Ahmet Zogu siç është edhe emri i plotë. KJo shprehje madje, përfshihet edhe në stemën e monarkisë shqiptare që mbretëroi në Shqipëri deri me 7 Prill 1939, për gati 11 vite. Pikërisht ky person, Ahmet Zogu është konsideruar nga komunistës shqiptarë, si “tradhëtari” i kombit, i cili braktisi vendin me 7 prill 1939, duke i lehtësuar pushtimin Italisë së Musolinit. Jo vetëm, kaq. Kur komunistët nisën instalimin e pushtetit të tyre, nga 24 maj 1944 në Berat, një nga vendimet e para ishte ndalimi i kthimit të mbretit Zog në Shqipëri.
Mirëpo kohët duket se kanë ndryshuar. Sot është 5 maji, dita e dëshmorëve dhe Prefekti i Qarkut Shkodër ka përzgjedhur pikërisht shprehjen e Ahmet Zogut, për të identifikuar lajtmotivin me të cilin, dëshmorët, edhe ata të Luftës së Dytë Botërore, kanë flijuar jetën e tyre. Në postimin e Prefektit të Qarkut Shkodër, lexojmë:
“5 Maji është dita që bashkon të gjithë kombin, mbarë Shqiptarët sot përkujtojnë me nderim ditën e dëshmorëve të kombit, ditën e respektit për veprën heroike, ditën e humbjes së shumë jetëve në emër të atdheut e dinjitetit njerëzor.
Dëshmia e tyre është liria jonë, ne na mbetet që idealin e tyre, ta realizojmë përmes vendosjes së shtetit ligjor, zhvillimit ekonomik, rritjes së ndërgjegjes të çdo qytetari në mbrotje të familjes së tij të quajtur Atdhe dhe bashkëjetesës me familjen e madhe Europiane.
Gjithë forca shtytëse që përshkoi jetën dhe veprën e dëshmorëve ishte “Atdheu mbi të gjitha” dhe ne këtij ideali i përgjigjemi me traditën tonë për bashkëjetesë si arma jonë më e mirë në luftën për shtet të suksesshëm dhe ndërtues i së ardhmes.
Lavdi dëshmorëve të rënë për liri”.
Të jetë lapsus, provokim apo një zgjedhje e vetëdijshme duke vlerësuar publikisht Ahmet Zogun, i cili edhe sot konsiderohet të paktën nga veteranët dhe familjarët e tyre, si fajtori më i madh për pushtimin e Shqipërrisë nga Italia me 1939? Apo Prefekti i Qarkut Shkodër është edhe pak “zogist” përveç se socialist…?!