
SPAK nuk kryen dhe nuk ka kryer asnjë veprim hetimor që synon drejtpërdrejtë apo tërthorazi, të ndikojë apo të intimidojë vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe aq më pak të ndërhyjë në procese të caktuara zgjedhore.
SPAK thotë se asnjë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është në hetim apo përgjim. Në një reagim, Prokuroria e Posaçme thekson se nuk kryen asnjë veprim hetimor që synon drejtpërdrejt apo tërthorazi të ndikojë apo intimidojë vendimmarrjet e KLP-së dhe aq më pak të ndërhyjë në procese të caktuara zgjedhore.
Ky reagim vjen pas deklaratës së Ylli Manjanit, se Prokuroria e Posaçme po përgjonte KLP-në për të diktuar zgjedhjet e kreu të ri të Prokurorisë dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas ish-ministrit, anëtarët po intimidohen nga përgjimet.
Reagimi i plotë i SPAK:
Në përgjigje të disa kërkesave tuaja, ju bëjmë me dije se:
1.Asnjë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është objekt hetimi, vëzhgimi apo përgjimi nga Prokuroria e Posaçme.
2.SPAK nuk kryen dhe nuk ka kryer asnjë veprim hetimor që synon drejtpërdrejtë apo tërthorazi, të ndikojë apo të intimidojë vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe aq më pak të ndërhyjë në procese të caktuara zgjedhore.
Deklarimet e bëra në media përbëjnë spekulim të pastër, të pambështetur në realitetin ligjor apo në praktikën hetimore të Prokurorisë së Posaçme.
Çdo deklaratë e pabazuar në fakte dhe e mbështetur në spekulime mbetet në kuadrin e retorikës së pakonfirmuar, në përpjekje për të keqinformuar publikun dhe për të dëmtuar Strukturën së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.




