Përzgjedhja e emrit të kandidatit të Partisë Socialiste për bashkinë e Urës-Vajgurore, është bërë mollë sherri mes anëtarëve socialistë, gjatë mbledhjes së asamblesë të këtij qyteti.
Mbledhja e asamblesë e kryesuar nga Blendi Klosi,në ambjentet e kinemasë së qytetit të Urës-Vajgurore është shoqëruar me debate të ashpra mes anëtarëve të asamblesë, të cilët nuk kanë qënë dakort me kandidaturën e kryetares aktuale Juljana Memaj të përkrahur nga Klosi.
Asambleja e Partisë Socialiste të Urës-Vajgurore ka propozuar 2 emra të tjerë kandidatësh për bashkinë: Fatli Afilaj,aktualisht kryetar i këshillit të qarkut Berat dhe Isuf Baze, inspektor në DAR Berat.
Por, pak përpara se të fillonte kjo mbledhje që u shoqërua me debate të ashpra, u nxorrën jashtë nga salla të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste që nuk ishin në asamble,mes tyre edhe ish/kryetari i Partisë Socialiste në Poshnje, Ramadan Baho.
Pas përfundimit të mbledhjes në një nga lokalet e qytetit të Urës Vajgurore, 2 punonjës të bashkisë kanë kërcënuar dhe goditur Ramadan Bahon, duke e bërë atë përgjegjës për konfliktin në mbledhjen e asamblesë. Pasi e kanë goditur,dy punonjësit e bashkisë së Urës-Vajgurore: Muharrem Selenica, me detyrë punonjës i shërbimit pyjor dhe Berti Memaj,shofer në bashki dhe njëkohëshisht xhaxhai i kryetares aktuale të bashkisë, janë larguar nga lokali.
Ramadani ka bërë denoncim në Komisariatin e Policisë së Urës-Vajgurore për rrahjen dhe,sipas burimeve policore të dy shtetasit e sipërpërmendur janë shoqëruar në polici, ku po deklarojnë në lidhje me rrethanat e kësaj ngjarjeje.
Ish/kryetari i Partisë Socialiste të fshatit Poshnje në Urë-Vajgurore, Ramadan Baho, pasi ka deklaruar se ka qënë për 26-vite me radhë kryetar, foli edhe për rrjedhën që morën debatet mes socialistëve në mbledhjen e asamblesë. Ai deklaroi se socialistët e Urës-Vajgurore kanë qënë kundër propozimit të Klosit për emrin e kryetares aktuale të bashkisë dhe kanë protestuar për këtë kandidaturë gjatë mbledhjes, ku edhe kanë propozuar emra të tjerë kandidatësh për bashkinë.
Ramadan Baho pohoi se anëtarët e Partisë Socialistë në Urë-Vajgurore, kanë një unitet mes tyre dhe të gjithë bashkë kanë kundërshtuar kandidaturën e Juljana Memaj, për një mandat të dytë në drejtimin e bashkisë së Urës-Vajgurore.