Edi Rama është vënë nën akuzë nga PD-ja për kryebashkiakët që dyshohen me të kaluar “të errët” dhe që i bën të jashtëligjshëm në funksionet e tyre. Kështu është akuzuar Rama për kryebashkiakun e pakurorëzuar të Shkodrës Valdrin Pjetri, po ashtu edhe për Agim Kajmakun e Vorës e natyrisht, edhe për atë të Vau- Dejësit Mark Babani.
Ky i fundit, ka qenë mjaft aktiv në kundërvënien ndaj akuzave që i vijnë nga PD-ja. Dy herë, pak minuta pas daljeve nga selia blu për ta akuzuar, Babani i Vau- Dejësit ka kërkuar dhe ka marrë vëmendjen e mediave duke hedhur poshtë akuzat e PD-së. Kështu ndodh edhe sot. Pak minuta pasi Gazment Bardhi në Tiranë publikoi disa dokumente që, sipas selisë blu provojnë akuzat e saj për Babanin, kryebashkiaku i Vau- dejësit ka ftuar gazetarët në zyrën e tij në bashkinë që drejton tashmë.
Artikulimi i tij është mëse i kuptueshëm. Ai paraqiti edhe sot versionin e tij për të kaluarën në Itali edhe pse Bardhi i PD-së la të kuptohej se janë zbuluar një pjesë e vogël e dokumenteve që selia blu disponon. Burime nga kjo seli, thanë për ShkodraWeb se do të ketë edhe publikime të tjera në ditët në vijim, jo vetëm për Italinë por edhe ngjarje në Maqedoni. Nga ana tjetër, burime pranë kryebashkiakut Babani thonë se ai është mjaft i qetë dhe e lidhin këtë me një fakt: Është i bindur se nuk ka shenja gishtërinjsh të depozituar askund, as në Itali e as në Maqedoni. Kjo sipas gjasave, edhe nëse ka patur probleme jashtë vendit siç pohon PD, është e vështirë të vertetohen ka shenjat daktiloskopike.
Por në artikulimin e sotëm të Babanit, ka një frazë e cila nuk mund të kalojë pa u vënë re. “As zoti Rama dhe as PS nuk e dinë se çfarë kam bërë unë gjithë jetën time“, është shprehur kryebashkiaku i Vau- Dejësit. Kjo shprehje mund të merret si e momentit, në kuptimin se për jetën time përgjigjem vetëm unë dhe nuk i jap llogari (siç nuk i kamë dhënë) askujt. Por mund të kuptohet edhe si një “mbrojtje” politike për Edi Ramën, nëse del diçka e padëshiruar në të shkuarën e Babanit jashtë Shqipërisë. Pra, as Rama e as PS nuk janë vënë në dijeni, nëse zbulohet ndonjë gjë… Një barrë politike që “nesër” mund ti hiqet nga shpina Edi Ramës përballë akuzave të vazhdueshme nga PD.
Me 13 shtator Prokuroria i ka kërkuar zyrtarisht PD-së dokumentet që ka në zotërim për të kaluarën e Babanit. Kanë kaluar 3 ditë dhe akoma këto dokumente nuk janë dorëzuar në organin e akuzës. Sipas gjasave, nuk do të dorëzohen sepse do të vazhdojnë të afishohen në ditët në vijim, si një instrument që më shumë se Mark Babanin apo të tjerë para e pas tij, synojnë të godasin Edi Ramën. /Shënim i ShkodraWeb/