Është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare dirigjentja e parë shqiptare, Rozmari Jorganxhi. E ëma e kantautorit Gjergj Leka ka ndërruar jetë në Trieste të Italisë.
Rozmari Jorganxhi ka nisur karrierën e saj që në vitin 1959 si soliste lirike. Ishte “mezzosoprano” në TOB dhe ka interpretuar me profesionalizëm në nivele të larta role nga operat ndërkombëtare, por edhe ato kombëtare. Nga viti 1967-1984 ajo ka dirigjuar Korin e TOB duke qenë femra e parë dirigjente e këtij institucioni unik të kulturës shqiptare.
Më 1993 Jorganxhi në moshën 56-vjeçare fiton audicionin dhe fillon si këngëtare profesioniste në Teatrin Giusepe Verdi të Triestes ku këndoi për 10 vjet. Zonja Jorganxhi ka dhënë dekada mësim në Universitetin e Muzikës duke i dhënë kulturës shqiptare emra artistësh si në fushën e dirigjimit ashtu edhe në atë të kantos.
Rozmari Jorganxhi u lind më 8 korrik 1937 në Korçë. Ajo ka nisur karrierën e saj që në vitin 1959 si soliste lirike në TKOB. Si soliste lirike, ka realizuar më shumë sukses një galeri të madhe personazhesh nga operat shqiptare dhe të huaja. Nga viti 1967-1984, ajo ka dirigjuar korin e TKOB, duke qenë femra e parë dirigjente e këtij institucioni.
Repertori solistik i Rozmari Jorganxhi është i pasur, i larmishëm dhe përfshin krijime të të gjitha gjinive. Ky repertor është interpretuar në mjaft koncerte dhe shfaqje operash brenda dhe jashtë Shqipërisë. Si dirigjente e korit, Jorganxhi ka përgatitur dhe ka vënë në skenë dhjetra vepra shqiptare dhe të huaja.
Rozmari Jorganxhi ka dhënë kontribut edhe në fushën e pedagogjisë, ku nën drejtimin e saj janë diplomuar shumë student, që sot vazhdojnë aktivitetin e tyre brenda e jashtë vendit. Ka interpretuar për 10 vjet rresht në Teatrin Giuseppe Verdi të Triestes. Në vitin 2017, ajo mori titullin “Mjeshtre e Madhe”.