Arrihet marrëveshja, emërohet trajneri i ri i Kombëtares Italiane

Do të jetë Roberto Mançini trajneri i ri që do të drejtojë kombëtaren e Italisë. Mediat italiane raportojnë se 53-vjeçari ishte dje në Romë, për t’u takuar me zyrtarët e Federatës Italiane të Futbollit, me të cilët arriti edhe akordin për t’u ulur në stolin e të kaltërve.

Zëvendës-presidenti i komanduar i FIGC-s, Alesandro Kostakurta, dhe menaxheri i ekipit italian, Lele Oriali, e kanë takuar Mançinin për më shumë se dy orë në shtëpinë e tij në Romë ku kanë diskutuar gjerë e gjatë për të ardhmen.


Trajneri italian do të firmosë një kontratë 2 vjeçare, me pagë vjetore 4 milionë euro. Mungon vetëm zyrtarizimi, që pritet të vijë pas 13 Majit, periudhë kur Mancini të ketë mbyllur sezonin me Zenit St, Peterburg në Rusi. Debutimi i Mançinit me kombëtaren pritet të vijë më 28 Maj, në miqësoren ndaj Arabisë Saudite, që do të luhet në St. Gallen të Zvicrës, ndërsa ndeshja e parë zyrtare do të jetë ajo e Ligës së Kombeve, më 7 Shtator ndaj Polonisë.