
Shërbimet e Policisë Kufitare, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për një rast të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufijve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Borders 5”.Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi:
-O. Ç., 29 vjeç, banues në Fushë-Krujë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ndihmonte emigrantë nga vendet e treta, të cilët hynin ilegalisht në Shqipëri dhe më pas synonin të kalonin në Mal të Zi, duke i transportuar me automjet kundrejt pagesës prej 500 eurosh për person.
Në momentin që iu bë shenjë për të ndaluar nga punonjësit e Policisë, ai tentoi të largohej, por pas ndjekjes për disa minuta, u bë ndalimi dhe shoqërimi i tij. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 7, Tiranë, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal të kësaj gjykate, për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.




