Namik Pelivani, administrator i subjektit ndërtues “Pelivani” sh.p.k, i akuzuar për “Mashtrim”, ka rënë sot në prangat e policisë.
Pelivani është arrestuar disa herë për të njëjtën akuzë dhe është lënë i lirë.
Ai është akuzuar dhe në mars të 2015 i kallëzuar nga disa banorë të një pallati për mashtrim, pasi më parë ishin ngjitur, në formë proteste publike, në tarracën e pallatit që po ndërtohej prej tij në truallin ku më parë ishin shtëpitë e tyre.
AKUZAT DHE MASHTRIMI
Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë bërë të mundur ndalimin dhe arrestimin e shtetasit:
Namik Pelivani, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, i proçeduar disa herë më parë, me detyrë administrator i një firme ndërtimi.
Arrestimi i shtetasit të sipërpërmendur u bë pasi ky shtetas ka mashtruar shtetasin A.L., të cilit i ka marrë 65 000 Euro dhe 3 350 000 lekë për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 107.69m2, në zonën e Yzberishtit, apartament të cilin e kishte shitur më parë me kontratë noteriale fiktive në vitin 2013 dhe të rinovuar në vitin 2016, për t’i krijuar besueshmëri klientit.
Gjithashtu ky shtatas nuk ka përpiluar fatura shitjeje tatimore duke kryer transaksione monetare jashtë zyrave të noterit dhe jo me bankë, me qëllim shmangien e deklarimit të të ardhurave.
Në cilësinë e provës materiale të dyshuarit iu sekuestruan:
6 kontrata noteriale si dhe dokumenta të ndryshme si certifikata, skica apartamentesh dhe 1 aparat telefoni celular
Theksojmë se ky shtetas është proceduar më parë edhe 5 herë të tjera nga policia për vepra të ndryshme penale.
Materialet proceduriale në ngarkim të shtetasit të mësipërm, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi me pasoja të rënda” dhe “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga nenet 143/2 dhe 180 e Kodit Penal./joq/