
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka vendosur se Shqipëria ka shkelur të drejtat e ish-drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi, duke e mbajtur në paraburgim për një periudhë të gjatë pa arsye të mjaftueshme ligjore.
Në vendimin e saj, Strasburgu e konsideron të padrejtë mbajtjen për më shumë se shtatë muaj në paraburgim të Gëllçit, i cili u dënua me 1 vite e katër muaj burg për shpërdorim detyre në lidhje me një kontratë shtesë për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro.
Lajmi është bërë me dije nga vetë avokati i Gëllçit, ndërsa vendimi është publikuar edhe në faqen e Gjykatës Europiane të të Drejtave të njeriut.
KLIKONI KËTU PËR TË LEXUAR VENDIMIN E PLOTË TË GJYKATËS SË STRASBURGUT PËR THOMA GËLLÇIN
“Gjykata e Strasburgut i dha të drejtë sot Thoma Gëllcit dhe konfirmoi që arrestimi i tij ishte i paligjshëm. Arrestimet janë bërë bukë e djathë për SPAK (dhe jo vetëm), të cilëve u intereson me shume shfaqja e cirkut televiziv të lajmeve ditore me arrestime e prerje kokash sesa respektimi i standardeve evropiane.
Thoma Gëllci, ish-drejtor i RTSH u arrestua në tetor 2021 për akuzën e shpërdorimit të detyrës lidhur me një tender. Ai u vendos në paraburgim me vendim të GJKKO me pretendimin se ekzistonte dyshimi i arsyeshëm për përfshirjen e tij në veprime të paligjshme.
Gjykata e Strasburgut konstatoi se argumentet për arrestimin ishin te pambështetura dhe shumë të përgjithshme. SPAK nuk dha prova konkrete as se cilat prova duhej të mblidheshin dhe pse nuk ishin mbledhur më parë, si dhe rreziku i arratisjes nuk ekzistonte. Gjykata e Strasburgut shtoi dhe se zgjatja e paraburgimit ishte e pajustifikuar, pasi autoritetet hetimore nuk treguan “kujdes të veçantë” për hetimin.
Sipas Gjykatës se Strasburgut, Shqipëria shkeli Konventën duke mbajtur Gëllëin në paraburgim për një periudhë të pajustifikuar dhe pa dhënë prova.
Duke e konsideruar si një fitore te rëndësishme morale, Strasburgu ofroi një shume simbolike dëmshpërblimi moral, por pa harruar që të ngarkojë mbi shtetin edhe kostot avokatore të Gëllçit.
Tani do vijojë beteja ne gjykatat tona për të vënë në vend drejtësinë evropiane qe e shtrembëroi nevoja revolucionare e SPAK, me mbështetjen e hapur të mazhorances qeverisëse”, njoftoi avokati.