Armando Vajushi duket se po kap formën më të mirë dhe tashmë sulmuesi shkodran është duke u rikthyer si në vitet e shkuara kur luante për Vllaznisë në nivelet e larta në Superiore. Ka fituar një vend titullari dhe tashmë synon edhe më shumë.
Në një prononcim për “Supersport” në prag të sfidës me Luftëtarin, Armando Vajushi, tashmë 27-vjeçar ka pohuar: “U bë një muaj që stërvitem dhe luaj, ndërsa tashmë jam duke kapur formën time më të të mirë. Kemi punuar dhe jemi stërvitur mjaft mirë. Barazimi me Kukësin na shërben shumë. Teuta është në formën më të mirë dhe synojmë 3 pikët ndaj Luftëtarit”.
Ndryshe nga periudha kur luante me Vllazninë që ishte në superformë, Vajushi tregon këtë periudhë dhe synimet që ka pse zgjodhi Teutën. “Edhe më përpara ka pasur lojtarë shumë të mirë. Kushtet tashmë janë më të mirë në klube. Por, për mua shpresoj shumë që kjo periudhë në Durrës të më vlejë shumë. Të kapim Evropën, të luaj sa më shumë dhe të provoj sërish aventurën jashtë vendit”.
Lidhur me ndeshjen e radhës me Luftëtarin, Vajushi ka shtuar se: “Luftëtari ka treguar se ka cilësi, luan në grup dhe ka bërë një sezon mjaft të mirë. Të mos harrojmë se kanë surprizuar jo pak, duke mundur edhe Partizanin dy herë. Ndaj duhet që të jemi shumë të përqendruar dhe të marrim 3 pikët ndaj gjirokastritëve duke qenë se luajmë në fushën tonë”, – tha Vajushi në fund të fjalës së tij. /vipsport/