Gjykata e Apelit vendosi të premten t’i kthejë një pjesë të pronave të sekuestruara ish-deputetit Mark Frroku. Atij ia janë kthyer gati gjysma e pasurisë së sekuestruar, konkretisht apartamente dhe dyqane.
Ish deputeti u shpall fajtor nga Gjykata e Tiranës për 3 vepra penale konkretisht “Fshehje të Pasurisë” “pastrim parash” dhe “ndërtim të paligjshëm”.
Mark Frrokut me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda vijojnë t’i mbeten të bllokuara disa pasuri si toka dhe apartamente në Tiranë e zona bregdetare, vlera e të cilave shkon deri në gjysmë milionë euro.
Në 10 maj të këtij viti gjykata e liroi ish-deputetin Mark Frroku. Ai ishte dënuar me 7.6 vite burg për fshehje pasurie, pastrim parash dhe ndërtim pa leje.
Frroku u akuzua edhe për një vrasje në Belgjikë, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1999, por akuzat për këtë krim ranë për mungesë provash, ndërsa ish-deputeti deklaroi disa herë me radhë se ai nuk kishte gisht në këtë ngjarje.