Gjykata e Apelit detyron përfundimisht Prokurorinë të regjistrojë procedim penal ndaj Autoritetit të Dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, pas kallëzimit të bërë kundër këtij institucioni, nga ish presidenti Ilir Meta.
Ky vendim është marrë këtë të enjte, nga Gjykata e Apelit e cila lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës. Fillimisht Prokuroria pas kallëzimit të Metës e rrëzoi, por ky vendim u hodh poshtë nga Gjykata më 9 dhjetor. Me këtë vendim, Apeli detyron Prokurorinë të nisë përfundimisht hetimet për anëtarët e Autoritetit të Dosjes të paditur nga Meta.
Gjykata e Tiranës rrëzoi Prokurorinë pasi vuri theksin në vendimin e saj në faktin se pas regjistrimit të procedimit penal, organi i akuzës duhet të marrë në pyetje Filip Talon, personin që është kallëzuar nga I. M në ish sigurimin e shtetit. Gjithashtu Gjykata urdhëroi prokurorinë që të administrojë të gjithë praktikën administrative të ndjekur nga AIDSSH që nga momenti i vënies në dijeni/marrjes të e-mail anonim dhe në vijim. Gjykata kërkon edhe marrjen në pyetje të të gjithë anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve.
Pse e paditi Meta Autoritetin e Dosjeve:
Ish-kreu i shtetit Ilir Meta kallëzoi penalisht për Gentiana Sulën, Albert Nikollën, Altin Hoxhën, Gjergj Markun dhe Skënder Vrionin me pretendimin se kanë falsifikuar dokumentet shtetërore, kanë bërë falsifikim kompjuterik, kanë falsifikuar vulat, stampat apo formularët, kanë shpërdoruar detyrën, kanë përhapur informata të rreme që ngjallin panik si dhe kanë zbuluar akte ose të dhëna sekrete.
Në kallëzimin drejtuar SPAK dhe prokurorisë së Tiranës, Meta kërkonte që të bëhet hetim i plotë, objektiv dhe i pavarur brenda një afati sa më të shpejtë.
Kjo përplasje e Metës me autoritetin e Dosjeve lindi pasi ky i fundit kishte depozituar një shkresë në Kuvend ku theksonte se ish presidenti dyshohej si spiun i ish sigurimit të shtetit.