FOTO – Anton Krosaj përcillet ashtu siç e meritonte, i duartrokitur nga kolegët në Teatrin “Migjeni”…

Në këtë mënyrë u përcoll për në banesën e fundit aktori profesionist i Estradës së Shkodrës, Anton Krosaj, i cili u nda një ditë më parë nga jeta në moshën 54-vjeçare. Miq, kolegë e të afërm i dhanë duartrokitjet e fundit në oborrin e Teatrit “Migjeni” aktorit shumë të dashur për publikun shkodran dhe jo vetëm.

Momente të dhimbshme. Kolegët ndahen me kolegun, me të cilin punuan, aktruan e jetuan për shumë vite në tempullin e artit shkodran e shqiptar. Lot në sytë  e Zef Dedës, Rita Gjekës, Sabah Baxhës e të gjithë kolegëve të tjerë të Antonit. Është një ndarje për të mos u takuar më në këtë botë. Dhimbje e madhe edhe për familjarët, të afërmit e Antonit. Por mes lotëve, ka vend edhe për krenari për të dashurin e tyre, i cili ikën nga kjo botë si artistët e mëdhenj, i duartrokitur!


Kjo është humbja e dytë brenda vitit për humorin shkodran e shqiptar. Pak kohë më parë, në fillim të muajit prill u nda nga jeta në moshën 80- vjeçare edhe aktori i humorit Gëzim Kruja. Pushofsh në paqe Anton Krosaj! Ti do të na buzëqeshësh nga lart e ne do të vazhdojmë të duartrokasim e të qeshim me artin tënd!