Partizani “italian” e ka nisur në mënyrën më të shëmtuar sezonin e ri në Kategorinë Superiore. Të kuqtë e drejtuar nga Mark Iuliano u mposhtën në “Selman Stërmasi” përballë Laçit me rezultatin e pastër 0-2, ndërkohë që pas merkatos dhe ndryshimeve të bujshme të verës, rreth 5 mijë tifozë ishin të pranishëm në stadium. Pjesa e parë shfaqi një lojë të një niveli të ulët dhe pa raste të rrezikshme. Ndërkohë në pjesën e dytë Laçi kaloi në avantazh në minutën e 59 me anë të Kallakut, i cili kishte vetëm një minutë që ishte futur në fushë. Goli i dytë u shënua nga braziliani Eskerda në minutën e 70 pas një aksioni mjaft të bukur të Bushit i cili bëri çfarë donte me mbrojtjen e Partizanit. /balkanweb/