ANALIZË – Të padisësh Edonën tek Rama është njësoj si ta padisë PD- ja Ramën tek Kim…

Pa u mbushur 72 orë nga dorëheqja e Elson Çelikut nga posti i Drejtorit të Sherbimeve të Transportit Rrugor të Shkodrës, një letër mesa duket është nisur drejt Tiranës në emër të një grupi socialistësh shkodranë. Ajo i drejtohej kryeministrit Edi Rama, kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, kreut të Grupit Parlamentar së njëherësh sekretar i PS- së Taulant Balla dhe për çudi, edhe ambasadores Yuri Kim për dijeni.

Të paktën kështu shkruhet në një letër që mban datën 10 qershor e është bërë publike në një farë forme sot, me 13 korrik 2021. Është një letër pa emra, pa firma, në emër të socialistëve “me biznes dhe larg interesave për një vend pune në administratë”.

Është një letër që në çdo gërmë a rresht, shpreh pakënaqësi. Janë unifikuar disa emra si Edona Bilali (dhe familjarë të saj), Senida Mesi, Paulin Sterkaj, Tom Doshi si pjesë e “të keqes” së PS- së. Nga ana tjetër, janë rreshtuar “të mirët” si Ilir Beqaj e Benet Beci. Ndërkohë, nuk figurojnë askund deputetët aktualë Ditmir Bushati e Luan Harusha.

Në analizën e tekstit të kësaj letre, e cila nga sot është e hapur, vëren se është shkruar “me një frymë”, me shumë gabime, madje edhe në emra drejtorësh të njohur sipas letërshkruesve për korrupsion. E meqë jemi tek këta drejtorë, në shënjestër janë vënë pikërisht tre zonja si Rozafa Zmijani, Valbona Tula e Violeta Staka.



Me shumë mundësi, kjo letër nuk ka arritur në dorën e Edi Ramës. Me shumë gjasa, as tek Ruçi apo Balla. Mbase as tek Yuri Kim, e cila me shumë mundësi ka “kanale” të tjera edhe brenda PS- së Shkodër për “të lexuar” edhe këtë letër, akoma pa iu nisur asaj.

Në analizën e përmbatjes, përtej gabimeve drejtshkrimore, është e thjeshtë të kuptohet se letërshkruesit ndjehen të përjashtuar nga “torta” lokale e pushtetit. Në prag të formimit të qeverisë së re në shtator, rrjedhimisht edhe emërimeve të drejtorëve të linjës vertikale në bazë, është një mënyrë presioni. Aq më shumë, duke futur në mënyrë të pakuptimtë për ne, edhe ambasadoren amerikane. Kjo e fundit, sipas letërshkruesve, duhet të ndikojë tek Rama për “ti vënë kufirin tek thana” Tom Doshit, si “non grata” i SHBA- së.

LEXONI EDHE: LETRA – “Na del një Edona”, PS e Shkodrës del hapur kundër deputetes Bilali dhe aleatit Doshi, i shkruajnë Ramës e Kim

Është shumë e lehtë të gjykosh në “lidhje të shkurtër” se këta socialistë janë mbështetës të Ilir Beqaj, Ditmir Bushatit etj. të kësaj linje. Për hir të realitetit, deri më sot nuk ka indikacione se Rama I “ka vënë këmbën” Ilir Beqajt meqë nuk u zgjodh deputet e në Shkodër PS- ja humbi një mandat. Përkundrazi, po mendohet deri në detaje se si Beqaj të mund të jetë sërish në Kuvend ose në rastin më “të keq” në qeveri…

Pasi “Rilindja” në pushtet nga 2013- a i ka lënë në periferi për të mos thënë jashtë “tortës” lokale, të frikësuar nga një “Ri- Rilindje” e re e përfaqësuar nga Edona Bilali, socialistët “e vjetër” që mblidhen përditë në një lokalet e njohura të Shkodrës, kanë vendosur të ngrejnë zërin.

Përtej të gjitha sa thamë deri tani, kjo letër tregon mungesën e konsoliduar të lidershipit të PS- së në Shkodër. I pavotuar e i pazgjedhur nga socialistët e Shkodrës, koordinatori i emëruar i radhës, vendos të besuarit e tij në pozicionet më të mira të administrimit të pushtetit në nivel lokal. Pasardhësi, largon ata të caktuar nga koordinatori para tij dhe emëron të tjerë. Kështu po ndodh prej vitesh tashmë sepse PS nuk po arrin të identifikojë një lider lokal, shkodran, të zgjedhur me votën e socialistëve këtu, edhe me sherrnajë (siç ka ndodhur dikur), por jo i emëruar.

Në kohën për PS kishte kryetar të zgjedhur, legjitim, qoftë edhe pas polemikave e akuzave- kundërakuzave edhe publike, forca e deputetëve në përzgjedhje emrash, ishte e reduktuar. Në këtë linjë, në harkun 1997- 2005, më i forti ndër deputetët e PS- së ka qenë Lek Çukaj (pastë dritë), por që në të shumtën e rasteve i është dashur dakortësia e kryetarëve vendorë për të realizuar emërimet e tij. Pa harruar se për propozime të rëndësishme, mblidhej edhe kryesia e PS- së Shkodër.

Në mënyrë të çuditshme, siç është lënë jashtë vëmendjes nga 2013- a e këtej Shkodra, pak a shumë është lënë “në rënie të lirë” edhe PS- ja e Shkodrës. Sigurisht ky është një opinion, por i nalaizuar krahasimisht edhe me bashki të tjera të Qarkut e të Shqipërisë, siç edhe me degë të tjera socialiste në këtë qark por edhe nivel kombëtar.

“Çudia më e madhe tre ditë zgjat” në këtë vend. Këtë e kanë mësuar të gjithë, sidomos Edi Rama. Por përsëri mbetet “dilema” e madhe se kush e nxorri letrën, sot më shumë se një muaj nga data që mban në fund të saj?! Vetë letërshkruesit? Rama, Ruçi apo Balla? Apo Yuri Kim?! A mund të jetë letër për të tërhequr vëmendje, për të hapur diskutim e debat, edhe jashtë radhëve të PS- së?! /Nga Sokol N. SOKOLI/