ANALIZA – Zgjedhjet vendore të pjesshme të 6 marsit si zgjatim i “30 qershorit” dhe “hakmarrje” e Metës ndaj Bashës…

Me 2 nëntor 2021 Gjykata Kushtetuese u shpreh me vendim, përmes një dispozitivi të shkurtuar, për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019. Vendimi u bë publik dhe brenda 30 ditëve, kjo gjykatë duhej të publikonte edhe arsyetimin e plotë për këtë çeshtje shumë të nxehtë të politikës por edhe qytetarëve. Automatikisht, ky vendim duhej ti hapte rrugë, sipas Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, zhvillimit të zgjedhjeve vendore të pjesshme në 6 bashki që ishin pa kryetar të dalë direkt nga procesi i 30 qershorit 2019, i legjitimuar me vendim të paapelueshëm nga Gjykata Kushtetuese e vendit.

Me 2 dhjetor 2021, Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin e arsyetuar. Procedurialisht, Presidenti i Republikës duhej të vihej në lëvizje brenda 48 orëve për të shpallur zgjedhjet në 6 bashki. Atë që vendosi ta bëjë me datë 19- 20 janar 2022, shpalljen e zgjedhjeve vendore të pjesshme, Presidenti Meta kishte detyrimin ta bënte maksimumi deri me 6 dhjetor 2021. Por mesa duket, agjenda e kreut të shtetit nuk e përmbante këtë pikë.


Me 14 dhjetor 2022, në një dalje për mediat, Presidenti Meta njoftoi nisjen e procedurave për shpalljen e zgjedhjeve vendore të pjesshme në 6 bashkitë e vendit. Çfarë bëri që agjenda e kreut të ndryshojë krejt papritur? Arsyetimi se ka pritur të analizojë dosjen e plotë të shqyrtimit të kësaj çeshtje nga Gjykata Kushtetuese, nuk ka bazë juridike. Vendim i drejt apo i gabuar siç e deklaroi vetë Presidenti, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe i paapelueshëm, sigurisht edhe i detyrueshëm për zbatim. Edhe ankimimi i paralajmëruar nga Meta në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, vështirë ta zhbënte këtë vendim. Aq më shumë, kur kjo gjykatë nuk i merr vendimet në një kohë të shkurtër. Edhe nëse do të ushtronte këtë të drejtë Meta, vendimmarrja me gjasë do të vinte pasi Presidenti të përfundonte mandatin me 24 korrik 2022 e mbase, edhe në vitin 2023 kur të ishte radha e zhvillimit të zgjedhjeve të rregullta vendore.

Nga data 2 nëntor 2021 kur doli dispozitivi i shkurtuar i vendimit të Gjykatës Kushtetuese deri ditën e djeshme, në skenën politike kanë ndodhur shumë gjëra. Kryesorja, është “beteja” për lidershipin e PD- së në mes Bashës dhe Berishës, pasi i pari për shkak të “non grata”- s nga amerikanët, pezulloi nga GP i PD- së të dytin. Në leximin më të thjeshtë të mundshëm, Meta bëhet palë në këtë konflikt mjaft të ashpër, duke u pozicionuar në krah të Barishës, për ti faturuar Bashës humbjen e radhës në një garë elektorale, edhe pse të pjesshme.

Sulmet e Bashës ndaj Metës, përfshirja e tij në “trekëndëshin e Bermudës” bashkë me Berishën e Ramën, me sa duket ka qenë edhe “pika e ujit” që derdhi gotën. Kështu, për tu hakmarrë me Bashën, Ilir Meta kapërceu edhe veten. Shpallja e datës për zgjedhjet vendore të pjeshme me 6 mars 2022, nuk është asgjë më shumë se legjitimim edhe nga vetë Presidenti Meta i “30 qershorit 2019”. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në fakt Ilir Meta nuk kishte rrugë tjetër. Por për të qenë në rregull me Kushtetutën e Kodin Zgjedhor, do të mund ti shpallte ose të niste procedurën që me datë 2 nëntor 2021 kur doli dispozitivi i shkurtuar i vendimit për “30 qershorin”.

Duke nisur nga 2 dhjetor 2021, ditë kur u zbardh i arsyetuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese për “30 qershorin”, Presidenti Meta është qartas në shkelje të Kushtetutës e Kodit Zgjedhor të vendit. Ai duhej të shpallte zgjedhje brenda 48 orëve, të paktën të niste letrat në drejtim të KQZ- së, Këshillit të Ministrave dhe Gjykatës Kushtetuese brenda këtij harku kohor. Me të marrë përgjigjet zyrtare, duhej të njoftonte datën e zgjedhjeve vendore të pjesshme në 6 bashkitë e vendit.

Arsyetimi politik dhe aspak kushtetuese i Presidentit, i bërë i njohur vetëm ditët e fundit se “nuk shpalli datë për të mos ndikuar në situatën konfliktuale brenda PD- së”, tregon pozicionim të një institucioni, i cili me Kushtetutë duhet të jetë mbi palët dhe “i ftohtë”. Edhe pjesa tjetër e arsyetimit të tij se “studiova dosjen e ardhur nga Gjykata Kushtetuese për të parë shkeljet e mundshme në gjykim dhe për të rekomanduar masa ndaj gjykatësve”, sërish është jashtë “kostumit” të tij presidencial. Madje, mund të shihet edhe si presion për këtë gjykatë në kuadër të shqyrtimit të vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit, i cili për shkak të “kovidit”, u shty me 1 shkurt 2022.

Nuk është e vështirë të kuptohet edhe ndaj artikulimi publik se Presidenti i Republikës e ka humbur qetësinë proverbiale të stampuar prej shumë vitesh në shprehjen e tij “me qetësi, me dashuri”. Me gjasë, me qetësi të humbur dhe mjaft “i nxehur”, ai mori një vendim jashtë afateve kushtetuese detyruese, madje në shkelje të tyre. Qartas, me këtë vendimmarrje politike dhe jo kushtetuese, zyrtarisht Meta u përfshi në konfliktin brenda PD- së. Argumenti më i fortë është ai i thirrjes për konsultim për datën e zgjedhjeve vendore të pjesshme vetëm me Taulnt Ballën, kryetarin e PG- të PS- së, duke anashkaluar opozitën. Mesazhi ishte i qartë, as Bashën nuk e njeh si lider të PD- së, sigurisht as Berishën. Madje, nuk kurseu as ironinë kur për mediat deklaroi se “mora garanci nga Balla se mazhoranca nuk do ti bojkotojë zgjedhjet vendore të pjesshme” apo kur shtoi se “zoti Taulant është i madhërishëm është përfaqësues i shumicës dhe i përcakton vendin dhe pakicës”.

Për pak muaj, Ilir Meta nuk do të jetë më president i vendit. Siç ka paralajmëruar edhe bashkëshortja- kryetare e LSI- së, ai do të rikthehet në drejtimin e partisë që themeloi e drejtoi për shumë vite. 6 marsi 2022 është një mundësi për të faktorizuar sërish LSI- në, pa u shqetësuar shumë për fatin e PD- së apo edhe opozitës në përgjithësi. PD- ja futet në këtë garë të beftë në momentin e saj më të papërshtatshëm. PD- ja e konsideruar zyrtare për shkak të zotërimit të selisë, e kryesuar nga Basha, ka njoftuar pjesëmarrjen në garën për 6 bashkitë. Komisioni i Rithemelimit i PD- së i krahut të Berishës, ka shpallur primaret për kandidaturat, duke lënë si afat 24 janarin 2022 për depozitimin e kandidaturave për 6 bashkitë. Nëse KQZ nuk do të pranojë si subjekt zgjedhor, Komisioni i Rithemelimit të PD- së do të mund të futet në garë vetëm përmes kandidatëve të pavarur. Ose në rastin më të mirë, nën siglën e LSI- së me kandidatë të përbashkët sepse një bashkëpunim Basha- Kryemadhi në këtë moment, duket përtej çdo hamendësimi i pamundur.

Nëse me 30 qershor 2019 opozita e asaj kohe bojkotoi zgjedhjet vendore duke i humbur pa marrë pjesë, në këto zgjedhje vendore të pjesshme në 6 bashki, me shumë gjasa do ti humbasë për shkak të përçarjes. Politika në finale është edhe çeshtje numrash. Basha me siglën e PD- së, pa Berishën e përkrahësit e tij dhe pa LSI- në në krah, ka shanse afër zeros të fitojë qoftë edhe një bashki të vetme, edhe të Shkodrës. LSI dhe Komisioni i Rithemelimit të PD- së me mbështetësit e Berishës, në letër mund të perceptohet më të fortë se PD- ja e Bashës, por përballë një kandidati nga PS- ja, kanë mundësi minimale të fitojnë, duke rrezikuar edhe bastionin historik të PD- së, Shkodrën. Rrezikon që me dorën e vetë Presidentit Meta, opozita të faturojë një tjetër humbje, duke kaluar 100% të pushtetit vendor në duart e PS- së, të paktën për një vit, deri në zgjedhjet e zakonshme vendore të 2033- it.

Në zgjedhje vendore, mjaft e rëndësishme është edhe kandidatura që iu prezantohet votuesve në nivel lokal. Por në këtë pikë që jemi, dukshëm e favorizuar është PS- ja, më saktë mazhoranca ku jo zyrtarisht është pjesë edhe PSD- ja, që në disa zona ka ndikim jo të parëndësishëm. Zgjedhjet e 6 marsit i sherbejnë Metës dhe LSI- së për faktorizim e këtu dukshëm kreu i shtetit po luan veshur me “kostum” presidencial për interesat e tij kur të mos jetë më president. Me kosto jo të vogël për opozitën.

PD- ja zyrtare me kandidatët e vet, edhe me humbjen e pritshme me 6 mars, e ka alibinë: U sabotuam nga Berisha e Kryemadhi, madje edhe nga “trekëndëshi i Bermudës”. E njëjta gjë edhe nëse opozita “tjetër” humb në të gjitha përballjet: Lulzim Basha përçau opozitën, ja pse duhet të ikë. Këto zgjedhje vendore të pjesshme vetëm e thellojnë përçarjen e krizën në PD, edhe në opozitën e madhe. Për herë të parë në thuajse 5 vite si president, Ilir Meta po luan vetëm për veten e tij! Të paktën nga ajo që shihet në pjesën “e lexueshme” të politikës. Sepse mund të ketë edhe kandidatë “kukull”, pozicionime të një segmenti apo krejt mazhorancës në favor të një kandidati të njërës palë të opozitës, “shkëmbim” bashkishë etj.

A do të “iluminohet” e gjithë opozita për të dalë mbi interesat momentin për të konverguar në mbështetje të një kandidati të përbashkët në çdo bashki? Nuk duket e pamundur por është mjaft e vështirë, kur do të duhet të identifikohen vetëm 6 emra të përveçëm. Por në të gjitha rastet, status- quoja e 30 qershor 2019 do të vazhdojë të paktën deri në 2023- in. Për Këshillat Bashkikë nuk do të votohet në 6 bashkitë e 6 marsit 2022. /Nga Blerti DELIJA/