
As këtë qershor Shqipërisë nuk do ti hapen negociatat me Bashkimin Europian. Në është e nevojshme të pritet qershori për ta kuptuar. Votimi në parlamentin e Holandës për kthimin e vizave për Shqipërinë, është tregues i qartë se ky vend nuk do të mbështesë hapjen e negociatave. Kaq mjafton që edhe një 365- ditësh tjetër i shqiptarëve të ketë shkuar dëm.
Sipas gjasave, kërkesa që do të paraqitet nga Holanda, edhe nëse kalohen në Komisionin Europian, nuk do të miratohet nga Parlamenti i Europës. Nëse do të ndodhte ndryshe, do të ishte një katastrofë për Shqipërinë e shqiptarët, kthim në epokën e rradhave në ambasada për viza, të stresit dhe shpenzimeve pa fund. Kaq do të mjaftonte që çdo qeveri të thyente qafën në opozitë.
Por votimi i sotëm në parlamentin holandez, mund të shihet edhe në një këndvështrim tjetër, atë të përshpejtimit të zgjidhjes së krizës më të thellë politike në vent nga 1991 e këtej. Gjithmonë, nëse ka një grimcë vullnet politik, këtë herë më shumë nga mazhoranca se opozita.
Dështimi i pritshëm i hapjes së negociatave për herë të dytë rradhazi, do të ishte i mjaftueshëm që një qeveri të kërkonte të kalonte në testin e qytetarëve që i besuan, veç të tjerave, edhe këtë hap shumë të rëndësishëm për vendin. Në të njëjtën kohë, zgjedhjet mund të sherbejnë edhe për zbutjen deri në eleminim të krizës politike. Qeveria zyrtarisht ka ngelur në klasë. Madje, me njollën e lejimit të eksportimit të krimit në Europë, të paktën zyrtarisht, në Holandë. Mund ti zgjasë jetën vetes, duke i shërbyer edhe vendit, edhe opozitës.
Një tryezë politike, hapja e rrugës së një qeverie të përbashkët opozitë- pozitë. Qoftë teknike, tranzitore por me objektiva të qarta. Fillimisht, krijimi i një sistemi të ri të organizimit të shtetit, ndoshta edhe çilizëm i plotë. Pse jo, edhe sistem presidencial me votim nga populli. Reformë e thellë, e vertetë e sistemit të drejtësisë, jo me dopio- standart, por që godet njësoj si majtas ashtu edhe djathtas. Një reformë elektorale që të mbyllë njëherë e mirë vrimat e një sistemi që fut ujë nga të gjitha anët.
Një qeveri me mandat reformash të përcaktuara, por jo me kohëzgjatje të caktuar. Një pakt kombëtar mes dy të mëdhenjve, zgjedhje vetëm atëherë kur të gjithë të jenë të sigurtë se do të jenë të lira e të ndershme vertetë. Shqiptarët humbën 500 vjet nën një pushtim, 50 vjet nën diktaturë, le të humbin edhe 5 vjet pa “standarte demokratike” deri sa të formalizohen. /ShkodraWeb/